Shtëpia e Bardhë thotë se po i harxhohen paratë për Kievin

Shtëpia e Bardhë thotë se po i harxhohen paratë për Kievin

Bota December 05, 2023 - 08:51

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është “pa para dhe gati pa kohë” për t’i ofruar më shumë armë Ukrainës, nëse Kongresi nuk vepron për të miratuar fonde dhe përkrahje shtesë.

Ky paralajmërim, i paraqitur të hënën përmes një letre dërguar udhëheqësve të Kongresit, tregoi se qeveria tashmë i kishte shfrytëzuar 111 miliardë dollarët e ndarë për ndihma ushtarake për Ukrainën, raporton gazeta “The Guardian”.

“Dua të jem e qartë: pa veprime nga Kongresi, nga fundi i vitit do të na harxhohen burimet për të blerë më shumë armë dhe pajisje për Ukrainën dhe për të ofruar më shumë pajisje nga rezervat ushtarake të SHBA-së”, shkroi në këtë letër Shalanda Young, drejtoreshë e Zyrës për Menaxhim dhe Buxhet.

Apeli më i ri për fonde vjen pasi Shtëpia e Bardhë kërkoi nga Kongresi që të veprojë rreth një kërkese 100-miliardëshe për financim plotësues në tetor, duke argumentuar se këto mjete “e avancojnë sigurinë tonë kombëtare dhe i përkrahin aleatët e partnerët tanë”.

Në letrën dërguar udhëheqësve të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, zonja Young tha se dështimi për të ofruar më shumë fonde “do të ishte goditje në gju për Ukrainë në fushën e betejës, jo vetëm duke i vënë në rrezik fitoret që Ukraina i ka bërë, por duke e shtuar gjasën për fitore ushtarake ruse”.

Young shtoi se “nuk ka vazo magjike të fondeve në dispozicion” për momentin. “Jemi pa para – dhe gati pa kohë”- shkroi ajo.

Sipas saj, Pentagoni ka shfrytëzuar 97 për qind të 62,3 miliardë dollarëve që i ka marrë deri në mesin e nëntorit. Departamenti i Shtetit e ka shfrytëzuar tërë shumën prej 4,7 miliardë dollarësh si asistencë ushtarake, përfshirë të hollat për asistencë humanitare dhe për asistencë ekonomike e të sigurisë civile.

“Jemi pa para për ta përkrahur Ukrainën në këtë luftë. Ky nuk është problem i vitit të ardhshëm. Koha për të ndihmuar një Ukrainë demokratike që të luftojë kundër agresionit rus është mu tani. Është koha që Kongresi të veprojë”- thuhet më tej në letrën e zonjës Young.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili është anëtar i Partisë Republikane, tha javën e kaluar se kishte besim që fondet për Ukrainën dhe Izraelin do të miratoheshin. Megjithatë, ai shtoi se këto dy çështje duhet të trajtohen ndarazi. Fondet për Ukrainën janë lidhur me ndryshimet në politikat kufitare të ShBA-së, që janë vijë e kuqe për shumë demokratë.

“Natyrisht, ne nuk mund ta lejojmë Vladimir Putinin që të marshojë nëpër Evropë dhe ne e kuptojmë nevojën për asistencë atje. Nëse do të ketë asistencë shtesë për Ukrainën – për të cilën shumica e anëtarëve të Kongresit besojnë se është e rëndësishme – ne duhet të punojmë, gjithashtu, për ndryshimin e politikave tona kufitare”, tha Johnsoni javën e kaluar. /nacionale