Alexei Navalny do të varroset të premten në Moskë

Alexei Navalny do të varroset të premten në Moskë

Bota February 28, 2024 - 11:14

Ceremonia e varrimit të Alexei Navalnyt do të bëhet në Moskë të premten, ka njoftuar zëdhënësja e tij.

“Një ceremoni do të zhvillohet në një kishë në distriktin juglindor Maryino në orën 14:00”, tha Kira Yarmysh në një postim në X.

Në postimin e saj, ajo u bëri thirrje mbështetësve të tij që të “shfaqen më herët”, duke theksuar se më pas do të varroset në varrezat e Borisovit, transmeton Telegrafi.

Ekipi i tij raportohet se kishte pasur problem dje që të gjej një lokacion nga ku do t’i japin lamtumirën e fundit në një ceremoni të organizuar, pasi shumë hapësira të dedikuara për raste të tilla refuzonin ta bënin këtë.

Madje sipas Yarmysh disa refuzonin të përmendin emrin e kritikut të ashpër të Kremlinit, derisa tjerëve u ishte ndaluar të bashkëpunojnë me ta.

Ndryshe Navalny ka vdekur në një burg në Arktik, ku prej atij momenti shumica e liderëve botërorë e kanë bërë Vladimir Putinin përgjegjës për vdekjen e tij.

Ndërkaq e ëma e tij i bëri thirrje Putinit ta lejojë të shohë kufomën e të birit dhe t’i japë lamtumirën e fundit. /Telegrafi