Djali i Millorad Dodikut mori nënshtetësinë kroate

Djali i Millorad Dodikut mori nënshtetësinë kroate

Bota April 11, 2024 - 08:12

Ish-inspektori i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, Nikolla Kajkiq, ka zbuluar se Igor Dodik, djali i Millorad Dodikut, ka marrë nënshtetësinë kroate 15 ditë më parë.

“Dhe tani do t’ju tregoj kulmin. Ja, shikuesve tuaj u thashë, po i heqim dorezat. Rreth 15 ditë më parë ka marrë nënshtetësinë nga Ministria e Brendshme, e dini kush? Igor Dodik. Djali i Millorad Dodikut. Këtë nuk jua thashë as në përgatitjen e emisionit që do të thosha. Kur e mori? Para 13-14 ditësh”, ka thënë Kajkiq në podkastin Velebit, përcjell Oslobodjenje.ba.

Ai është shprehur i habitur duke pasur parasysh se për të marrë nënshtetësinë e Republikës së Kroacisë duhet të plotësohen disa kushte dhe duhet të deklarohet edhe si kroat.

“Pra, shtetësia mund të merret me lindje ose prejardhje. Më lejoni të përkthej. Ju duhet të keni lindur në Kroaci, të jetoni një numër të caktuar vitesh, të jeni kroat, katolik, etj. Këto janë në thelb kushtet që ju japin bazën për të marrë nënshtetësinë kroate. Dhe ndoshta Millorad Dodik zbuloi se është kroat? Ai nuk është kroat. Ai është me origjinë, vetëm se nuk do ta pranojë kurrë. Ai deklarohet si ortodoks dhe serb”, ka shtuar ai.

Situata komplikohet edhe më shumë nga fakti se Igor Dodik është në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, së bashku me disa anëtarë të familjes së tij të ngushtë dhe nuk është e qartë se si një person i tillë mund të marrë nënshtetësinë e Republikës së Kroacisë.