Ky është skenari i seancës së sotme të OKB-së, ku do të votohet rezoluta për Srebrenicën
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet të votojë gjatë ditës së sotme për një propozimrezolutë për gjenocidin në Srebrenicë.
Sipas mediave të huaja, rezoluta, propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës.
Veç kësaj, ajo dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës.
Ajo u sponsorizua nga tridhjetë vende ndërsa propozueset zyrtare të saj ishin Gjermania dhe Ruanda.
Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Srpska.
Siç bëhet e ditur, seanca e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara duhet të fillojë në orën 16:00 dhe të zgjasë deri në orën 19:00 sipas kohës sonë dhe mediat kanë zbuluar se si duhet të duket vetë procedura.
Sipas Zërit të Amerikës, Gjermania, e cila është një nga nismëtarët, do të prezantojë projekt-rezolutën.
Për propozimin e dokumentit nuk do të zhvillohet një debat formal, por shtetet do të mund të shpjegojnë qëndrimin e tyre, si rezultat i të cilit nuk do të ketë listë zyrtare të folësve gjatë seancës.
Gjithashtu, bashkë-sponzoruesit e projekt-rezolutës nuk do të lejohen të flasin.
Këto vende përfshijnë, ndër të tjera, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francën ose Italinë, por edhe bashkë-sponsorizuesit ballkanikë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Slloveninë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut.
Deri në fund të tekstit, projekt-rezoluta për Srebrenicën ishte bashkë-sponsorizuar nga 39 vende.
Përfaqësuesi i Serbisë, presidenti Aleksandar Vuçiq, pritet të flasë para votimit.
Po ashtu duhet të flasë edhe përfaqësuesi i Malit të Zi, i cili deklaroi se do ta mbështesë, por nuk e ka bashkësponsorizuar projekt-rezolutën.
Mediat theksojnë se për miratimin e projekt-rezolutës kërkohet një shumicë e thjeshtë e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme, e cila zakonisht shkon në 97 vende nga 193 gjithsej.
Ndryshe, në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.
Për gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Srpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.
Të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm, kujton REL.
Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të rezolutës për Srebrenicën dhe, një ditë para se të dilte në OKB, Asambleja e Republikës Srpska miratoi një notë proteste drejtuar vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar tërheqjen e rezolutës.
Ndërkohë, zëvendësambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Robert Wood, i tha Zërit të Amerikës se rezoluta mbi gjenocidin në Srebrenicë është një sinjal i rëndësishëm për boshnjakët dhe kombet e tjera në mbarë botën se mizori të tilla nuk do të përsëriten.
“Është një njollë në ndërgjegjen ndërkombëtare. Na takon neve të tregojmë se nuk i kemi harruar njerëzit, Bosnjën dhe kombet e tjera që kanë përjetuar lloje të ngjashme masakrash dhe gjenocidi”, tha ai në një bisedë të fundit në selinë e Kombeve të Bashkuara.
Ai theksoi se kjo rezolutë është më e rëndësishmja për popullin boshnjak.
Një qëndrim i qartë u theksua edhe në Bruksel.
“Është pa diskutim që në Srebrenicë është kryer gjenocidi. Nuk duhet të ketë mohim apo relativizim të gjenocidit në Srebrenicë. Nuk është çështje mendimi – është vendim i institucioneve gjyqësore ndërkombëtare – Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është shumë e qartë, në vitin 2007, u tregua se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid. Të gjithë duhet ta pranojnë dhe respektojnë atë. Nuk ka vend në Evropë për vendet që hedhin dyshime për këtë”, citohet të ketë thënë Peter Stano, përfaqësues i mediave në Bashkimin Evropian.