Ushtria kineze e kthen mikun më të mirë të njeriut në makinë vrasëse

Ushtria kineze e kthen mikun më të mirë të njeriut në makinë vrasëse

Bota May 28, 2024 - 15:17

Gjatë stërvitjeve të fundit ushtarake me Kamboxhian, ushtria e Kinës shfaqi një qen robot me një pushkë automatike të montuar në shpinë, duke e kthyer në thelb mikun më të mirë (elektronik) të njeriut në një makinë vrasëse.

“Ai mund të shërbejë si një anëtar i ri në operacionet tona luftarake urbane, duke zëvendësuar anëtarët tanë (njerëzorë) për të kryer zbulimin dhe për të identifikuar (armikun) dhe për të goditur objektivin,” thotë një ushtar i identifikuar si Chen Wei në një video nga transmetuesi shtetëror CCTV.

Videoja dyminutëshe e bërë gjatë stërvitjes Kinë-Kamboxhia “Golden Dragon 2024” tregon gjithashtu qenin robot që ecën,  kërcen,  shtrihet dhe lëviz mbrapa nën kontrollin e një operatori në distance, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Në një stërvitje, roboti me pushkë e çon një njësi këmbësorie në një ndërtesë të simuluar.

Pjesa e fundit e videos tregon gjithashtu një pushkë automatike të montuar nën një dron ajror me gjashtë rotor, duke ilustruar atë që video thotë se është “larmia e pajisjeve inteligjente pa pilot” të Kinës.

Përdorimi ushtarak i qenve robotë – dhe sigurisht dronëve të vegjël ajrore – nuk është asgjë e re. Një video e CCTV nga viti i kaluar theksoi gjithashtu qentë elektronikë të Kinës të armatosur me pushkë në një stërvitje të përbashkët që përfshin ushtarakët kinezë, kamboxhianë, malajzianë, tajlandezë dhe vietnamezë të mbajtur në Kinë nëntorin e kaluar.