KS i OKB-së miratoi një rezolutë amerikane që mbështet marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Hamas

KS i OKB-së miratoi një rezolutë amerikane që mbështet marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Hamas

Bota June 10, 2024 - 22:32

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë amerikane që mbështet propozimin e fundit të Izraelit për armëpushim dhe i bën thirrje Hamasit që ta pranojë ofertën.

Për rezolutën votuan 14 vende, nuk pati asnjë votë kundër ndërsa abstenoi Rusia.

Izraeli doli kundër rezolutës javën e kaluar, duke vënë në pikëpyetje disa nga amendamentet që u përfshinë në tekst.

SHBA-ja ka adresuar disa nga këto shqetësime, duke hequr kundërshtimin e qartë ndaj krijimit të zonave të sigurisë nga Izraeli në Gaza.

Është një plan i prezantuar fillimisht nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili duhet të zhvillohet në tre faza, raporton skynews.

Në fazën e parë, Izraeli do të lironte qindra të burgosur palestinezë dhe ushtria e vendit do të largohej nga pjesët e Gazës ku ndodhen banorët e kësaj enklavë palestineze.

Nga ana tjetër, Hamasi do të lironte disa nga izraelitët e rrëmbyer dhe përparësi do t’u jepej fëmijëve, grave dhe të plagosurve. Ai do të zgjaste gjashtë javë dhe gjatë kësaj periudhe do të ndaloheshin të gjitha aktivitetet e luftës.

Në fazën e dytë, ushtria izraelite do të largohej nga i gjithë territori i Rripit të Gazës dhe Hamasi do të lironte të gjithë pengjet e mbetura. Në atë pikë, sipas këtij plani, do të kishte një armëpushim të plotë.

Faza e fundit do të ishte rindërtimi i Gazës, e cila u shkatërrua plotësisht për shkak të armiqësive që po vazhdojnë që nga 7 tetori i vitit të kaluar. /Telegrafi