Rrugëtimi politik i oligarkut bullgar, që rrezikon ta humbë pushtetin
Delyan Peevski, politikan dhe një prej oligarkëve më të fuqishëm në Bullgari, është figurë enigmatike.
Përveç disa hoteleve që ai thuhet se frekuenton, askush nuk e di se ku jeton ai.
Rrallë shihet në rrugë dhe preferon që në parlament të dërgohet me një konvoj makinash, si dhe me roje sigurimi.
Megjithatë, nëse pyesni ndonjë politikan bullgar se kë duhet fajësuar për krizën aktuale politike, meqë Bullgaria po përballet me zgjedhjet e shtata të parakohshme në tri vjet, shumica, me shumë mundësi, adresë e kanë Peevskin, 44-vjeçar.
Ky oligark ka vepruar me vite mbrapa perdeve.
Ai kontrollon shumicën e gazetave dhe mediave, dhe kështu ka dorë të madhe në formësim të opinionit publik.
Më 2018, organizata ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, u ka dhënë jehonë akuzave “ për korrupsion dhe përzierje në mes të mediave, politikanëve dhe oligarkëve”, në Bullgari, të cilat Peevski i mohon, duke thënë se kundërshtarët e tij politikë u bëjnë presion grupeve ndërkombëtare për të drejta të njeriut që ta përfshijnë emrin e tij nëpër raporte.
Duke qenë se ka shërbyer si deputet në Parlament prej vitit 2009, dhe ka mbajtur disa pozita shtetërore, përfshirë atë të shefit të agjencisë së kundërzbulimit në Bullgari, Peevski ka ndikim të konsiderueshëm te figurat politike dhe institucionet shtetërore.
Trazira politike
Më 2023, ky manjat mediash ka nisur të marrë pjesë rregullisht nëpër seanca parlamentare dhe ka folur para mediave. Në fillim të vitit 2024, ai është bërë kryesues i Lëvizjes për Liri dhe të Drejta (DPS), parti që tradicionalisht ka përfaqësuar minoritetet etnike turke dhe myslimane të Bullgarisë.
Në qershor, ai e ka udhëhequr partinë në zgjedhjet parlamentare, e cila ka dalë e dyta, duke fituar 47 prej 240 ulëseve parlamentare në total.
Teksa ai ka qenë yll në rritje në politikë, Bullgaria ka hyrë në një fazë të pashembullt të trazirave politike. Prej vitit 2009 e deri më 2021, partia e qendrës së djathtë, GERB, e udhëhequr nga Boyko Borisovi, ka udhëhequr pothuajse pa asnjë ndërprerje.
Mirëpo, prej vitit 2021, Bullgaria ka përjetuar gjashtë palë zgjedhje parlamentare.
GERB-i ka fituar katër prej tyre, mirëpo nuk ka arritur kurrë që të formojë Qeverinë.
Për një banor të rëndomtë bullgar, Peevski është epitomë e botës nën hije të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që shumë besojnë se e ka përfshirë shtetin.
Ai mund të jetë njëri prej politikanëve më pak të besueshëm në Bullgari.
Në një sondazh të kryer së fundmi, vetëm dy për qind e bullgarëve kanë thënë se i besojnë atij, për dallim prej 88 për qind të respondentëve që e mendojnë të kundërtën.
Sipas Aktit Magnitsky, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Peevskit, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe ndikim, “me qëllim të mbrojtjes së vetes nga gjyqi publik, dhe që të shtrijë kontrollin në institucione dhe sektorë kyç shtetërorë”.
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur, gjithashtu, sanksione ndaj tij, duke thënë se Peevski është përfshirë “në tentimet për të ushtruar kontroll në institucionet dhe sektorët kyç të shoqërisë bullgare, përmes ryshfetit dhe përdorimit të mediave të veta”.
Peevski, në anën tjetër, si manjat mediash dhe politikan, ka nisur kontekst ligjor ndaj sanksioneve dhe mohon vazhdimisht akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Ai ka nisur proces gjyqësor në SHBA për heqje sanksionesh, duke pretenduar se akuzat janë të motivuara politikisht.
Partner “toksik”
Reputacioni i tij i dëmtuar nënkupton që shumë politikanë bullgarë tani refuzojnë të punojnë me të.
Për ta, Peevski është “toksik”, ka thënë Dimitar Bechev, ligjërues në Shkollën e Oksfordit për Studime Globale, si dhe hulumtues i lartë në Institutin Carnegie Europe, me bazë në Bruksel.
Hristo Ivanov, njëri prej liderëve të koalicionit reformist pro-perëndimor, Ne vazhdojmë ndryshimin – Bullgaria demokratike (PP-DB), i ka thënë Shërbimit bullgar të Radios Evropa e Lirë, më 30 korrik, se “problem thelbësor i Bullgarisë është ‘shteti i kapur’, i cili në vjetët e fundit është personifikuar më së shumti me Peevskin”. /REL
Shkrimin e plotë mund ta lexoni: KETU