Trumpi tërheq padinë ndaj mjekut për shkatërrimin e vaksinave të COVID-19
Foto: Laura Hasani / Ilustrim

Trumpi tërheq padinë ndaj mjekut për shkatërrimin e vaksinave të COVID-19

Bota July 13, 2025 - 08:29

Departamenti i Drejtësisë ka rrëzuar papritur të gjitha akuzat kundër një mjeku nga Utah dhe tre bashkëpunëtorëve të tij, të cilët u akuzuan për shkatërrimin e vaksinave kundër Covid-19 dhe falsifikimin e të dhënave, tha të shtunën Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi në një postim në X.

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së Pam Bondi tha se kishte urdhëruar tërheqjen e akuzave kundër një mjeku të akuzuar për shkatërrimin e vaksinave kundër Covid-19 dhe lëshimin e certifikatave të falsifikuara të vaksinimit.

Vendimi për ndërprerjen e ndjekjes penale, ndërkohë që procesi gjyqësor kishte nisur, u mor pas një kërkese nga kongresistja konservatore Marjorie Taylor Greene dhe reflekton kthesën politike të administratës amerikane në qëndrimet mbi vaksinimin, pas rikthimit të Donald Trump në pushtet në janar.

“Dr. Moore u ofroi pacientëve të tij një zgjedhje, në një kohë kur qeveria federale refuzonte ta bënte këtë. Ai nuk meritonte të kalonte vite në burg,” deklaroi ministrja Bondi përmes një postimi në platformën X.

Michael Kirk Moore, kirurg plastik në shtetin Utah, u përball me akuza penale nga drejtësia federale në vitin 2023, së bashku me klinikën e tij dhe tre persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë.

Ata akuzoheshin për shkatërrimin e vaksinave kundër COVID-19 me vlerë 28,029 dollarë dhe për shpërndarjen e të paktën 1,937 certifikatave të rreme vaksinimi në këmbim të parave.

Dr. Moore, që përballej me mundësinë e dekadave burgimi, akuzohej gjithashtu se u administronte fëmijëve të disa prindërve tretësirë kripe (ujë i kripur steril) në vend të vaksinës dhe më pas lëshonte certifikata të falsifikuara të vaksinimit kundër koronavirusit. /rtk