
Trumpi do të takohet me kryeministrin e Katarit për të diskutuar marrëveshjen e armëpushimit në Gazë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump pritet të takohet me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, të mërkurën për të diskutuar negociatat mbi një marrëveshje armëpushimi në Gazë.
Negociatorët izraelitë dhe Hamasi kanë marrë pjesë në raundin e fundit të bisedimeve për armëpushim në Doha që nga 6 korriku, duke diskutuar një propozim të mbështetur nga SHBA-ja për një armëpushim 60-ditor që parashikon një lirim gradual të pengjeve, tërheqje të trupave izraelite nga pjesë të Gazës dhe diskutime për përfundimin e luftës.
Dhe i dërguari i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, tha të dielën se ishte “shpresëplotë” për negociatat që po zhvillohen në Katar, një ndërmjetës kyç midis dy palëve.
Zyrtarët amerikanë, të Katarit dhe të Egjiptit kanë punuar për të siguruar një marrëveshje, por Izraeli dhe Hamasi mbeten të ndarë mbi fushëveprimin e një tërheqjeje përfundimtare izraelite nga enklava palestineze.
Raundi i fundit i gjakderdhjes në konfliktin izraelito-palestinez u shkaktua në tetor 2023 kur Hamasi sulmoi Izraelin.
Izraeli thotë se Hamasi vrau 1,200 njerëz dhe mori rreth 250 pengje.
E Ministria e shëndetësisë e Gazës thekson se fushata ushtarake pasuese e Izraelit ka vrarë më shumë se 58.000 palestinezë.
Ajo gjithashtu ka shkaktuar një krizë urie, ka zhvendosur brenda vendit të gjithë popullsinë e Gazës dhe ka nxitur akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare Penale – akuza që Izraeli i mohon.
Ndryshe, një armëpushim i mëparshëm dy-mujor u prish kur sulmet izraelite vranë më shumë se 400 palestinezë më 18 mars.
Më parë këtë vit, Trump propozoi “një pushtim të Gazës nga SHBA-ja” – një plan i dënuar gjerësisht nga grupet e të drejtave të njeriut, Kombet e Bashkuara dhe udhëheqësit palestinezë – si i barabartë me “spastrim etnik”.
Trumpi dhe Sheikh Mohammed pritet gjithashtu të diskutojnë përpjekjet për të rifilluar negociatat bërthamore SHBA-Iran, raportoi Axios, duke cituar një burim të njohur me çështjen. /Telegrafi