Si po i nxit ndryshimi i klimës zjarret në Evropë?
Foto: AFP

Si po i nxit ndryshimi i klimës zjarret në Evropë?

Bota July 16, 2025 - 09:34

Zjarre të mëdha përfshinë këtë muaj disa vende mesdhetare, duke i detyruar mijëra banorë në Katalonjë të Spanjës të izolohen dhe duke rrezikuar qytetin e dytë më të madh të Francës, Marsejën.

Sa e rëndë është situata?

Që nga fillimi i vitit, zjarret dogjën 227.000 hektarë tokë - më shumë se dyfishin e mesatares për këtë periudhë gjatë dy dekadave të fundit, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).

Megjithëse kjo shifër është shumë mbi mesataren, nuk është rekordi më i lartë në regjistrimet e EFFIS-it, që datojnë nga viti 2002.

Evropa përjetoi sezonet më të këqija të zjarreve në vitet 2003 dhe 2017, kur ato dogjën mbi 1.100.000 hektarë në secilin prej këtyre dy viteve - një sipërfaqe kjo e barabartë me ishullin e Xhamajkës.

Nuk dihet ende nëse 2025-a do të jetë një vit i rekordeve, pasi kjo varet nga mënyra se si do të zhvillohet sezoni i zjarreve në muajt në vijim.

Numri i zjarreve në Evropë u rrit ndjeshëm këtë vit - me 1.118 zjarre të regjistruara deri më 8 korrik, krahasuar me 716 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas EFFIS-it.

Vala e nxehtësisë në Evropë këtë muaj nxiti zjarre në rajonin e Mesdheut, përfshirë Sirinë, ku ato dogjën më shumë se 3% të mbulesës pyjore të vendit, sipas OKB-së.

Në ishujt grekë të Evias dhe Kretës, zjarret detyruan mijëra njerëz të evakuohen.

Megjithatë, shkencëtarët që i monitorojnë ato, thonë se zjarret në rajonin e Mesdheut ishin relativisht të izoluara, pavarësisht dëmeve që shkaktuan.

Çka i nxit zjarret?

Shkencëtarët thonë se verat më të nxehta dhe më të thata në rajonin e Mesdheut, e bëjnë atë shumë të rrezikuar nga zjarret në natyrë.

Pasi fillojnë, bimësia e thatë dhe era e fortë në rajon bëjnë që zjarret të përhapen shpejt dhe të dalin jashtë kontrollit.

Këtë rrezik e rrisin edhe ndryshimet klimatike, duke krijuar kushte më të nxehta dhe më të thata.

Në vendet që kufizohen me detin Mesdhe, kjo ndikoi që sezoni i zjarreve të niste më herët viteve të fundit, të thyheshin rekorde për intensitetin e zjarreve dhe të digjej më shumë tokë.

Emetimet e gazrave serrë, kryesisht nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit, e ngrohën planetin për rreth 1.3 gradë Celsius që nga koha para-industriale.

Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, Evropa u ngroh dy herë më shumë sesa mesatarja globale që nga vitet 1980.

Ngrohja e tillë bën që gjatë valëve të nxehtësisë, temperaturat të rriten më shumë. Dhe, për shkak të ndryshimeve klimatike, këto valë të nxehtësisë janë më të shpeshta.

Këtë e konfirmoi edhe Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike - një panel global i shkencëtarëve i Kombeve të Bashkuara.

Pjesa tjetër e verës

Vendet janë duke u përgatitur për zjarre më të mëdha.

Sipas EFFIS-it, temperatura më të ngrohta se mesatarja parashikohen në të gjithë Evropën gjatë gushtit, që do të thotë se rreziku i zjarreve do të mbetet i lartë në shumë pjesë të Evropës jugore dhe lindore.

Ndërsa në Evropën jugore priten reshje normale, pjesa tjetër e kontinentit pritet të jetë më e thatë se zakonisht në gusht, duke rritur kështu rrezikun e zjarreve edhe në rajone të tjera.

Qeveritë po përpiqen të përshtaten.

Greqia mobilizoi këtë vit një numër rekord prej 18.000 zjarrfikësish dhe ndryshoi taktikat dhe patrullat e saj, për t’i zbuluar zjarret më herët dhe për t’i kufizuar dëmet.

Faktorët tjerë që rrisin rrezikun e zjarreve, përfshijnë menaxhimin e pyjeve.

Në zonat rurale të vendeve si Spanja, ku popullsia po zvogëlohet për shkak të largimit drejt qyteteve, ka më pak njerëz që merren me pastrimin e bimësisë.

Kjo bën që materiali djegës të grumbullohet, duke krijuar kushte më të favorshme për zjarret.

OKB-ja kërkoi nga qeveritë që të investojnë më shumë në parandalimin e zjarreve, në vend se të përqendrohen kryesisht te reagimi pas shpërthimit të tyre.

OKB-ja paralajmëroi, gjithashtu, se ndryshimet klimatike pritet të rrisin numrin e zjarreve të rënda në botë deri në 14% deri në fund të kësaj dekade.

Sipas OKB-së, parandalimi i zjarreve mund të përfshijë djegiet e kontrolluara para sezonit të verës, për të pastruar materialin që nxit zjarret, si dhe rikthimin e zonave të lagështa dhe moçaleve. /REL