
Beduinët evakuohen nga provinca me shumicë druze në Siri
Familjet beduine në Siri duke u evakuuar nga Sveida, pas më shumë se një jave të përleshjeve të dhunshme.
Qindra civilë beduinë janë evakuuar nga qyteti Sveida - i banuar kryesisht nga druzët - në kuadër të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara për dhënie fund të luftimeve, që kanë lënë të vrarë qindra persona, kanë raportuar mediat shtetërore dhe dëshmitarët.
Dhuna në provincën jugore Sveida është përshkruar si test i madh për presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, pasi ndërkohë kanë nisur edhe sulmet ajrore izraelite, duke thelluar ndasitë në këtë shtet të shkatërruar nga 14 vjet luftë.
Armëpushimi është zbatuar të dielën, teksa forcat e sigurisë janë pozicionuar në paralagje të Sveidas.
Ministri i Brendshëm sirian, Anas Khattab ka thënë të dielën se armëpushimi do të mundësojë lirimin e pengjeve dhe të ndaluarve që mbahen nga të dyja palët.
Në mëngjesin e së hënës, ambulancat, kamionët dhe autobusët me qindra beduinë civilë janë larguar nga Sveida për në kampe të afërta.
Në grupin e parë janë shpërngulur 300 beduinë, ndërsa grupi i dytë me 550 beduinë do të evakuohet brenda 24 orëve, nëse situata vazhdon të jetë e qetë, kanë thënë autoritetet e sigurisë që po mbikëqyrin procesin.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Sirisë ka thënë se në total do të evakuohen 1.500 beduinë nga Sveida.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, të paktën 93.000 persona janë detyruar të largohen nga provinca Sveida apo rajone të afërta me të, si pasojë e luftimeve.
OKB-ja ka thënë të dielën se konvojet humanitare me furnizime mjekësore janë në pritje për të hyrë në Sveida për dy ditë, mirëpo nuk kanë fituar qasje.
Sipas organizatës, në provincë ka mundur të hyjë vetëm një konvoj i Gjysmëhënës së Kuqe.
Druzët janë minoritet i vogël por me ndikim në Siri, Izrael dhe Liban, të cilët ndjekin një fe, e cila sipas tyre është degë e Islamit.
Disa myslimanë sunitë ultra-konservatorë i konsiderojnë besimet druze si heretike.
Duke përmendur synimin e mbrojtjes së duzëve dhe mbajtjes së jugut të Sirisë të çmilitarizuar, Izraeli i ka sulmuar forcat qeveritare javën e kaluar në jug, ashtu sikurse Ministrinë e Mbrojtjes në Damask.
Uashingtoni, i cili ka ofruar mbështetje për Damaskun, prej kur Sharaa është takuar me presidentin amerikan Donald Trump në maj, ka thënë se nuk i ka miratuar sulmet izraelite.
Luftimet kanë nisur javën e kaluar me përleshje mes beduinëve dhe luftëtarëve druzë.
Damasku i ka dërguar trupat e veta për t’i ndalur luftimet, mirëpo ata vetëm çka janë përfshirë në dhunë dhe janë akuzuar për shkelje kundër druzëve.
Presidenti i përkohshëm al-Sharaa është zotuar për t’i mbrojtur të drejtat e druzëve dhe për t’i mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer shkelje. /REL