Shefi i UNRWA: 6,000 kamionë ndihmash të bllokuar, presin leje nga Izraeli për të hyrë në Gaza

Shefi i UNRWA: 6,000 kamionë ndihmash të bllokuar, presin leje nga Izraeli për të hyrë në Gaza

Bota July 24, 2025 - 16:28

Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, ka dhënë një përshkrim tronditës të gjendjes humanitare në Rripin e Gazës, duke thënë se situata është në kolaps të plotë.

“Njerëzit në Gaza nuk janë as të gjallë, as të vdekur – janë kufoma që ecin”, ka shkruar Lazzarini në X, duke citur një nga punonjësit e agjencisë atje.

Tutje ai ka theksuar se kriza po prek të gjithë, përfshirë edhe punonjësit humanitarë që përpiqen të shpëtojnë jetë.

Lazzarini ka paralajmëruar se kur ata që kujdesen për të tjerët nuk kanë as vetë për të ngrënë, e gjithë struktura humanitare është në rrezik kolapsi.

Ndërsa, në një postim tjetër, ai tha se një në pesë fëmijë në qytetin e Gazës është aktualisht i kequshqyer. Sipas tij, shumica e fëmijëve që shihen nga ekipet e UNRËA-s janë “të dobët, të rraskapitur dhe me rrezik të lartë për të vdekur nëse nuk marrin trajtim urgjent”.

Shefi i UNRWA-s gjithashtu njoftoi se agjencia ka gati 6,000 kamionë të ngarkuar me ushqime dhe ndihma mjekësore që ndodhen në Jordani dhe Egjipt, duke kërkuar nga Izraeli të lejojë hyrjen pa pengesa dhe të pandërprerë të ndihmave humanitare në Gaza.