
Ambasadori i ri i Serbisë në SHBA ia dorëzon Trumpit letrat kredenciale dhe e fton për vizitë në Beograd
Ambasadori i ri i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Dragan Shutanovac, ia dorëzoi presidentit amerikan Donald Trump letrat kredenciale më 28 korrik në Shtëpinë e Bardhë dhe e ftoi atë për një vizitë në Beograd.
Në një postim në rrjetet sociale, Shutanovaci tha se gjatë takimit me Trumpin është diskutuar për mundësinë e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke përfshirë bashkëpunimin në fusha si: energjia, inteligjenca artificiale, infrastruktura dhe mbrojtja.
“Në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, biseduam për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ia kujtova presidentit Trump se asnjë president amerikan nuk e ka vizituar Serbinë që nga viti 1980 – dhe e ftova ta ndryshojë këtë”, shkroi Shutanovaci.
At the White House, I presented my letters of credence to President Donald Trump, officially assuming my duties as the Ambassador of the Republic of Serbia to the United States of America.
— Šutanovac Dragan (@SutanovacDragan) July 28, 2025
In a friendly and constructive atmosphere, we spoke about the relationship between Serbia… pic.twitter.com/cSQeWvdt56
Sipas tij, mesazhi i këtij takimi ishte i qartë: “Ta bëjmë partneritetin strategjik serbo-amerikan madhështor sërish” – një shprehje që i referohet sloganit të njohur të fushatës së Trumpit.
Ambasadori Shutanovaci theksoi se Serbia dhe SHBA-ja po shqyrtojnë mundësi bashkëpunimi në disa drejtime me rëndësi strategjike, duke përfshirë energjinë, inteligjencën artificiale, projektet infrastrukturore dhe fushën e mbrojtjes.
Këta sektorë, sipas tij, përfaqësojnë potencial për investime konkrete, shkëmbim njohurish dhe përparim teknologjik, por edhe për lidhje më të thella mes institucioneve dhe kompanive të të dyja vendeve.
Sipas Radio Televizionit të Serbisë (RTS), presidenti i fundit amerikan që ka vizituar Beogradin ishte Jimmy Carter, më 1980. /rel