Pse Britania po e njeh një shtet palestinez?

Pse Britania po e njeh një shtet palestinez?

Bota July 30, 2025 - 08:31

Britania e Madhe njoftoi të martën se është e gatshme të njohë një shtet palestinez në muajin shtator, përveç nëse qeveria izraelite ndërmerr hapa të rëndësishëm për t’i dhënë fund “situatës së tmerrshme” në Gaza dhe të përmbush disa kushte.

Vendimi i kryeministrit britanik, Keir Starmer, vjen pas shembullit të Francës, ku presidenti Emmanuel Macron konfirmoi synimin e vendit të tij për ta njohur shtetin palestinez dhe, në këtë mënyrë, të inkurajojë edhe partnerët e tjerë që të veprojnë njësoj.

Reuters ka analizuar njoftimin e Starmerit, i nxitur nga zemërimi në rritje shkaku i urisë dhe shkatërrimit të Gazës gjatë luftës së Izraelit kundër militantëve të Hamasit, si dhe pozicionet e vendeve të tjera mbi njohjen e shtetit palestinez.

Çfarë tha Starmeri?

Kryeministri britanik përsëriti se “nuk ka barazi midis Izraelit dhe Hamasit dhe se kërkesat tona ndaj Hamasit mbeten të njëta: duhet të lirohen të gjitha pengjet, të pranojnë një armëpushim, të pranojnë se nuk do të kenë rol në qeverisjen e Gazës dhe të çarmatosen”.

Starmer tha se Britania do të bëjë hapin përkatës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përveç nëse Izraeli ndërmerr hapa të dukshëm për të lejuar më shumë ndihma humanitare në Gaza, deklaron qartë se nuk do të aneksojë Bregun Perëndimor dhe angazhohet për një proces paqeje afatgjatë që synon një “zgjidhje me dy shtete” – një shtet palestinez që bashkëjeton në paqe përkrah Izraelit.

Ai tha se qeveria e tij do të bëjë një vlerësim në muajin shtator mbi “sa larg kanë shkuar palët në përmbushjen e këtyre hapave”, por shtoi se askush nuk do të ketë të drejtë vetoje mbi këtë vendim.

Pse e ndërmori këtë hap Starmeri?

Qeveritë e njëpasnjëshme britanike kanë deklaruar se do ta njohin zyrtarisht një shtet palestinez kur të vijë momenti i duhur, por asnjëherë nuk kanë vendosur një afat kohor apo nuk kanë përcaktuar qartë kushtet e nevojshme.

Starmer tha se vendimi është marrë në një kohë kur situata në terren në Gaza është shumë e rëndë dhe kur perspektiva për një zgjidhje me dy shtete është në rrezik të madh.

Një numër gjithnjë e më i madh deputetësh nga Partia Laburiste e Starmerit kanë kërkuar prej tij që të njohë shtetin palestinez për të ushtruar presion mbi Izraelin.

Si mund të ndikojë kjo në marrëdhëniet SHBA - Britani e Madhe?

Starmer ka qenë në përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie të ngrohta me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe Britania rrallëherë ka devijuar nga qëndrimi i SHBA-së në çështjet e politikës së jashtme. Dy liderët u takuan të hënën në Skoci, por Trump tha se nuk kishin diskutuar planin britanik gjatë atij takimi.

I pyetur të hënën nëse ishte dakord me pozicionin e mëhershëm të Starmerit për shtetësinë palestineze si një hap konkret drejt paqes së qëndrueshme, Trump tha se “nuk kam problem që ai merr një qëndrim. Unë tani dua që njerëzit të kenë ushqim – ky është prioriteti numër një. Ka shumë njerëz që po vuajnë shkaku i urisë”. /Telegrafi