
SHBA-ja riatdheson një fëmijë nga kampi “Al-Hol” në Siri
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të mërkurën se ka riatdhesuar një fëmijë amerikan që ishte ndarë nga familja e tij në kampin "Al-Hol", një vendbanim i madh në verilindje të Sirisë që strehon dhjetëra mijëra persona të dyshuar për lidhje me grupin militant Shteti Islamik (IS).
Sipas Departamentit të Shtetit, rreth 30 mijë persona nga 70 vende të ndryshme vazhdojnë të jetojnë në kampin Al-Hol, shumica prej tyre gra dhe fëmijë të luftëtarëve të IS-it, përfshirë edhe përkrahës të grupit ekstremist.
Midis tyre janë shtetas irakianë dhe shtetas të vendeve perëndimore që kishin udhëtuar drejt Sirisë për t’u bashkuar me IS-in.
Organizatat për të drejtat e njeriut prej vitesh kanë ngritur alarmin për kushtet e rënda të jetesës dhe dhunën e përhapur në kamp, i cili prej kohësh administrohet nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët dhe të mbështetura nga SHBA-ja.
Këto forca janë aleati kryesor i Uashingtonit në luftën kundër IS-it dhe celulave të tij të fshehta, duke kontrolluar një pjesë të madhe të Sirisë Verilindore. /abcnews