
Evropa vijon të përballet me temperatura të larta dhe zjarre
Ndërsa temperaturat e larta po vazhdojnë në disa rajone të Evropës, veçanërisht në vendet me dalje në Detin Mesdhe, shumë shtete vazhdojnë të përballen me zjarre pyjore për shkak të të nxehtit.
Sipas mediave kombëtare në Portugali, rreth 2 mijë zjarrfikës po luftojnë aktivisht me zjarret në mbarë vendin. Autoritetet raportojnë se zjarri në Ponte da Barca nuk është vënë ende nën kontroll dhe dhjetëra persona janë evakuuar nga zona.
Kryetari i Bashkisë së Ponte da Barcas, Augusto Marinho në një deklaratë për televizionin shtetëror RTP, tha se të paktën 19 persona janë lënduar si pasojë e zjarrit. Ai theksoi se operacionet e shuarjes po vazhdojnë dhe se situata mbetet shumë e rrezikshme.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Deteve dhe Atmosferës i Portugalisë (IPMA), deri më 6 gusht parashikohet një valë e fortë e të nxehtit në gjithë vendin, me temperatura që pritet të lëvizin nga 36 deri në 44 gradë Celsius.
Në Spanjë, zjarri në rajonin Las Hurdes është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së ekipeve edhe gjatë natës së kaluar. Megjithatë, operacionet po vazhdojnë për të parandaluar rindezjen e zjarreve në disa zona të vendit.
Në Bullgari, brenda 24 orëve të fundit ka pasur ndërhyrje në 60 vatra të vogla zjarri.
Rreth 292 mijë hektarë tokë e djegur në Evropë
Paralajmërimet thonë se rreziku nga zjarret në pyje do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, veçanërisht në vendet që kanë dalje në Detin Mesdhe.
Sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret Pyjore (EFFIS) dhe Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus, që nga fillimi i vitit 2025 janë regjistruar 1.339 zjarre në Evropë, një rritje krahasuar me 900 zjarret në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Këtë vit, rreth 292 mijë hektarë tokë janë djegur si pasojë e zjarreve pyjore në kontinent, ndërsa vitin e kaluar kjo shifër ishte rreth 139 mijë hektarë.
– Shumë vende në nivel “shumë ekstrem” rreziku
Sipas Hartës së Rrezikut nga Zjarret të përgatitur nga Indeksi i Kushteve të Motit për Zjarret (FWI) për periudhën 28 korrik-4 gusht, shumë vende janë të kategorizuara në nivele rreziku “shumë ekstrem”, “ekstrem”, “shumë i lartë” dhe “i lartë”, të paraqitura me ngjyra të kuqe.
Sipas të dhënave të hartës, parashikohet që rreziku i zjarreve të ulet në Italinë e jugut, Ballkan, Greqi, Bullgari, Rumani dhe Turqi, por në disa rajone do të mbetet ende në nivele “ekstreme” ose “shumë ekstreme”.
Gjithashtu, parashikohet që rreziku i zjarreve të rritet në lindje të Finlandës, Portugali, Spanjë dhe në jug të Francës.