
Marrëveshja për emigrantët në Gjadër, Meloni reagon pas vendimit të Gjykatës së BE
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kritikuar ashpër Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GD BE), pas një vendimi që konsiderohet goditje ndaj një prej iniciativave të saj kryesore për frenimin e emigracionit të parregullt.
Në vitin 2023, Meloni nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë për ngritjen e qendrave të përpunimit të kërkesave për azil, të menaxhuara nga autoritetet italiane në Gjadër dhe Shëngjin. Plani parashikonte që emigrantët e shpëtuar në Detin Mesdhe dhe që vinin nga vende të cilësuara si të sigurta, të dërgoheshin në këto qendra për një procedurë të përshpejtuar azili. Por gjykatat italiane e pezulluan zbatimin e skemës, duke vënë në dyshim mënyrën se si qeveria kishte përcaktuar sigurinë e disa vendeve të origjinës si Bangladeshi dhe Egjipti.
Të premten, Gjykata e Drejtësisë së BE-së vendosi se vendet anëtare mund të shpallin një vend të tretë si “vend i sigurt i origjinës”, por vetëm nëse ky përcaktim mbështetet në kritere të qarta, objektive dhe i nënshtrohet rishikimit gjyqësor. “E drejta e BE-së nuk e ndalon një shtet anëtar të përcaktojë një vend të tretë si të sigurt, për aq kohë sa ekziston mundësia për rishikim efektiv nga gjykatat,” thuhet në vendim.
Zyra e Kryeministres italiane reagoi me tone të ashpra ndaj vendimit, duke e akuzuar gjykatën për tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në politikat e emigracionit, një fushë që, sipas qeverisë italiane, duhet të mbetet në dorën e shteteve.
“Vendimi dobëson politikat për luftimin e emigracionit të paligjshëm masiv dhe për mbrojtjen e kufijve kombëtarë,” thuhej në deklaratë. Sipas saj, gjykata vendosi që “opinioni i gjyqtarëve të ketë përparësi ndaj rezultateve të hetimeve të kryera nga ministritë përkatëse dhe të vlerësuara nga Parlamenti sovran”.
“Kjo është një vendim që duhet të shqetësojë të gjithë,” vijon deklarata, “sepse kufizon edhe më tej hapësirën tashmë të vogël për vendimmarrje të pavarur nga qeveria dhe parlamenti.”
Zëvendëskryeministri dhe lideri i Ligës së ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, e quajti vendimin “skandaloz”, duke shtuar se “shkatërron sovranitetin kombëtar” dhe është “një tjetër dëshmi e një Evrope që nuk funksionon.”
Vendimi i GD BE-së erdhi pas një ankese të dy shtetasve nga Bangladeshi, të shpëtuar në Mesdhe dhe të dërguar në Shqipëri, ku kërkesat e tyre për azil u refuzuan me argumentin se Bangladeshi është vend i sigurt, siç ishte përcaktuar nga qeveria italiane në vitin 2024. Ata apeluan vendimin në një gjykatë italiane, duke pretenduar se qeveria nuk kishte ofruar asnjë arsyetim publik për këtë përcaktim dhe as nuk kishte parashikuar mundësi për ta kontestuar atë.
Sipas organizatës Freedom House, Bangladeshi cilësohet si “pjesërisht i lirë”, me raste të përndjekjes politike dhe dhunës, sidomos pas përmbysjes së qeverisë 15-vjeçare të partisë Awami League vitin e kaluar.
Gjykata evropiane theksoi se asnjë vend nuk mund të konsiderohet “i sigurt” nëse të drejtat e njeriut garantohen vetëm për një pjesë të popullsisë duke përforcuar një vendim të mëparshëm që kundërshton konceptin e “vendeve pjesërisht të sigurta”. Megjithatë, ky standard pritet të ndryshojë pas miratimit të legjislacionit të ri që hyn në fuqi në vitin 2026.
Qeveria italiane, ndërkohë, ka vazhduar përdorimin e qendrave në Shqipëri për strehimin e dhjetëra emigrantëve të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil dhe janë në pritje të deportimit.
Opozita në Itali e ka përshëndetur vendimin e GD BE-së, duke e cilësuar si konfirmim të dështimit të modelit shqiptar. “Qeveria Meloni ka gabuar; modeli i Shqipërisë ka dështuar: është ndërtuar mbi abuzim ligjor,” shkroi deputeti i Partisë Demokratike, Matteo Orfini. “Ky vendim ka çuar në shkelje të të drejtave dhe në shpërdorim të rreth 1 miliard eurove fonde publike. A do të kërkojë ndokush falje? A do të japë kush dorëheqjen?”
Edhe Lëvizja Pesë Yjet akuzoi Melonin për keqmenaxhim të politikës së emigracionit, duke e karakterizuar atë me “padituri, improvizim dhe slogane boshe”. Pavarësisht vendimit, Meloni ka deklaruar se do të vijojë betejën për të bërë funksionale qendrat në Shqipëri, të cilat, sipas saj, janë të domosdoshme për të dekurajuar kalimet e rrezikshme përmes Mesdheut./abcnews