
Raporti përfundimtar i SHBA-së zbulon dështime serioze në misionin në Afganistan
Një agjenci qeveritare e Shteteve të Bashkuara, e themeluar më 2008, për t’i vlerësuar përpjekjet amerikane për të mbështetur Afganistanin, e ka dorëzuar raportin e 68-të, njëherësh i fundit, në Kongres – në të cilin përmenden shpërdorime dhe “korrupsion i përhapur” gjatë ndërhyrjes 20-vjeçare të Perëndimit, si dhe shqetësime rreth shkurtimeve të ndihmës nga administrata Trump.
Raporti është përpiluar nga Inspektori i Përgjithshëm Special për rindërtim të Afganistanit, agjenci qeveritare, dhe është publikuar më 30 korrik, dy javë para përvjetorit të katërt të ngjitjes së talibanëve në pushtet në Afganistan.
Në kapitullin e titulluar “Gjetjet kryesore në fund të misionit” theksohet se Qeveria afgane e përkrahur nga Perëndimi, me raste nuk i ka pëlqyer projektet që i kanë propozuar Shtetet e Bashkuara.
“Për shembull, agjencia ka gjetur se shumica e ndërtesave në pesë objekte të policisë kufitare afgane në vlerë prej 26 milionë dollarëve, ose kanë qenë të thata, ose janë përdorur për qëllime tjera, në njërin rast si kafaz i pulave”.
Në raportin prej 99 faqeve theksohet se ky vlerësim është i bazuar në hollësi që tregojnë se nëpër çfarë ka kaluar misioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.
“Dhënia fund e raportimeve të agjencisë do të jetë humbje e madhe”, ka thënë Orzala Nemat, hulumtuese e lartë në Institutin Royal United Services me bazë në Londër, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Fatkeqësisht, keqpërdorimi i resurseve është fakt që nuk mund të injorohet. Është mirë që të paktën e kemi pasur një burim të besueshëm, dhe që mund ta citonim për këto pretendime teksa e vazhdonim punën”.
Analisti veteran për Afganistanin, Thomas Ruttig, ka thënë se ata që i kanë përcjellë raportet, e kanë pasur idenë e qartë se çfarë është duke ndodhur dhe se si do të përfundonte e gjitha.
“Politikanët i kanë injoruar të gjitha informacionet dhe kanë vazhduar me mesazhet e mira prej Afganistanit derisa trupat janë detyruar të largohen në gusht të vitit 2021. Është një arkivë shumë e vlefshme e asaj se çfarë ka shkuar keq në Afganistan. Do të kishte qenë shumë mirë nëse donatorët apo Qeveria amerikane do ta ndihmonin”, ka shtuar ai.
Në raport përmendet se shtetet evropiane dhe institucionet e ndryshme në botë kanë dërguar sasi të mëdha fondesh në Afganistan, çka e ka rritur ndjeshëm korrupsionin, të cilit zyrtarët amerikanë nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje sepse “prioritet e kanë pasur sigurinë”.
Ruttig, i cili ka punuar në Afganistan për Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë në periudhën 2000-2006, është pajtuar me vlerësimin sa i përket angazhimit të Perëndimit.
“Të gjithë kanë qenë të vetëdijshëm që korrupsioni është problem i madh, mirëpo ka rënë ndesh me strategjinë politike dhe gjithmonë ka qenë prioritet i dytë. Siguria gjithmonë ka qenë e para”, ka thënë ai.
Politika e Trumpit në Afganistan
Mirëpo, raporti përfundimtar nuk shërben vetëm si reflektim për misionin në tërësi.
Aty përmendet edhe ndikimi humanitar nga vendimet e administratës së presidentit amerikan, Doanld Trump, për t’i ndalur ndihmat për Afganistanin. Sipas raportit, Departamenti amerikan i Shtetit nuk e ka sqaruar pse programe specifike janë pezulluar.
“Byroja për Popullsi, Refugjatë dhe Migrim e Departamentit të Shtetit i ka thënë agjencisë se ata nuk kanë qenë të informuar pse disa programe janë anuluar dhe që as nuk kanë qenë të përfshirë në vendimmarrje”, është thënë në raport.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Departamentin e Shtetit që të ofrojë më shumë hollësi për këtë dhe detaje tjera që janë parë në raport.
Raporti i Inspektorit të Përgjithshëm Special ka thënë se Uashingtoni “e ka ndalur gjithë ndihmën e huaj që ka pasur të bëjë me Afganistanin” prej muajit prill.
Ky vendim është marrë në përputhje me urdhrin ekzekutiv të janarit që përcaktonte se “ndihma e huaj amerikane dhe burokracia nuk janë në linjë me interesat amerikane, dhe në disa raste janë kundër etikës dhe vlerave amerikane”.
Brenda ditësh, administrata Trump ka marrë hapa të shpejtë për të shkatërruar Agjencinë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila ka qenë agjencia kryesore e Qeverisë amerikane për të shpërndarë ndihmë nëpër botë.
“Njerëzit janë në situata dëshpëruese pas ndaljes së ndihmave amerikane në Afganistan”, ka thënë Nemat, e cila ka punuar në projekte të USAID-it për të ofruar strehim për viktimat e trafikimit me njerëz.
“Nuk e di se çfarë ka ndodhur me grupet e cenueshme që kanë qenë duke u strehuar nëpër ato qendra falë atij programi, dhe as nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, ka shtuar ajo.
Në raport përmenden edhe “deklarata kundërthënëse” rreth përpjekjeve të talibanëve për të konfiskuar asete, përfshirë makinat ushtarake nga operacionet e USAID-it që janë pezulluar këtë vit në Afganistan.
“USAID vuri në dukje se njësi të blinduara rëndë nga drejtoria e përgjithshme e inteligjencës së talibanëve kanë hyrë me forcë në kompleksin e partnerëve për zbatim projektesh, duke sekuestruar pajisje, para dhe dokumentacion të projektit".
Mirëpo, ky vlerësim është në kundërshtim me informacionin e lëshuar nga Uashingtoni, sipas raportit.
“As Byroja për Popullsi, Refugjatë dhe Migrim, dhe as Zyra për largim dhe zvogëlim të sasisë së armëve nuk kanë thënë se partnerët janë përballur me ndonjë kërkesë të talibanëve për asete, të dhëna apo të dhëna persona të stafit”, sipas raportit.
Kjo çështje është tejet e ndjeshme, pasi vetë presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar nga talibanët që t’i dorëzojnë pajisjet ushtarake që i kanë lënë mbrapa forcat amerikane më 2021.
“Afganistani është njëri prej shitësve më të mëdhenj të pajisjeve ushtarake në botë, dhe a e dini pse? Janë duke i shitur pajisjet që ne i kemi lënë mbrapa”, ka thënë Trump në janar.
“Ne i duam mbrapsht pajisjet tona ushtarake”, ka thënë presidenti amerikan.
Agjencia që bënte vlerësime për këtë mision do të pushojë së ekzistuari në shtator.
Deri atëherë, ajo do të publikojë edhe një raport të fundit për mësimet që duhet nxjerrë nga Afganistani, Gaza, Siria dhe vende tjera, që mund të aplikohen për situatat e së ardhmes, më saktësisht për të kuptuar më shumë për misionet e ndihmës në shtetet jodemokratike. /REL