
Ukraina thotë se Rusia ka kryer sulm masiv në Kharkiv
Një person është vrarë dhe dhjetë persona – përfshirë dy fëmijë – janë plagosur në sulmin më të madh ajror që Rusia ka kryer në qytezën Lozova të Ukrainës që kur ka nisur lufta mbi tre vjet më parë, thanë zyrtarët.
Sulmi masiv shkaktoi dëme në një stacion të trenit dhe infrastrukturë tjetër në qytezën, që është qendër e transportit në rajonin e Kharkivit – që gjendet në kufi me Rusinë – tha operatori shtetëror i hekurudhave, Ukrzaliznytsia, përmes një njoftimi.
“Infrastruktura kritike, ndërtesa banimi dhe shtëpi janë dëmtuar... Lozova ka përjetuar sulmin më të madh që nga nisja e luftës”, tha kreu i Këshillit të qytetit, Serhiy Zelensky, përmes një postimi në Telegram.
Ai shtoi se pjesë të rajonit kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë për shkak të sulmit rus.
Kompania Ukrzaliznytsia tha se një nga punonjësit e saj vdiq dhe katër të tjerë u plagosën gjatë këtij sulmi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia ka goditur infrastrukturën civile në Lozova me më shumë se 25 dronë, duke dëmtuar një depo dhe një stacion.
Ndërkaq, Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se kanë rrëzuar 29 nga 46 dronët e lëshuar nga Rusia në mbarë Ukrainën gjatë natës. Në njoftim u tha po ashtu se një raketë balistike dhe 17 dronë goditën lokacione të ndryshme në Ukrainë.
Këto raportime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur, ndërkaq Rusia ende ka komentuar për pretendimet ukrainase.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, Moska vazhdimisht ka mohuar se godet infrastrukturën civile, pavarësisht dëshmive të shumta që tregojnë të kundërtën.