Takimi në Kremlin mes përfaqësuesit amerikan Steve Witkoff dhe Vladimir Putinit

Takimi në Kremlin mes përfaqësuesit amerikan Steve Witkoff dhe Vladimir Putinit

Bota August 06, 2025 - 12:33

Një takim mes përfaqësuesit amerikan Steve Witkoff dhe presidentit rus Vladimir Putin po zhvillohet në Kremlin, njoftojnë mediat ruse.

Witkoff mbërriti në Moskë të mërkurën, ndërsa afati i vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump për Rusinë që të pranojë një armëpushim në Ukrainë po afrohet.

Presidenti Trump ka paralajmëruar se Rusia mund të përballet me sanksione të rënda, ose edhe me sanksione dytësore ndaj të gjithë atyre që bëjnë tregti me Moskën, nëse nuk ndërmerr hapa për të ndalur “luftën e tmerrshme” në Ukrainë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia do të bënte vetëm hapa seriozë drejt paqes nëse fillonte të përballej me mungesë të fondeve financiare. Ai përshëndeti kërcënimin për sanksione më të ashpra amerikane dhe taksa ndaj vendeve që blejnë naftë ruse.

Pritshmëritë për një marrëveshje deri të premten mbeten të ulëta, ndërkohë që Rusia ka vijuar sulmet e mëdha ajrore ndaj Ukrainës, pavarësisht kërcënimeve të Trumpit për sanksione.

Tri raunde bisedimesh mes Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll nuk kanë arritur të afrojë fundin e luftës, më shumë se tre vjet e gjysmë pas fillimit të pushtimit të plotë rus.

Kushtet ushtarake dhe politike të Moskës për paqen vazhdojnë të jenë të papranueshme për Kievin dhe partnerët e tij perëndimorë. Kremlini gjithashtu ka refuzuar vazhdimisht kërkesat e Kievit për një takim mes Zelenskyt dhe Putinit.

Ndërkohë, administrata amerikane miratoi të martën shitjen e 200 milionë dollarëve të tjera në armë për Ukrainën, pas një bisede telefonike mes Zelenskyt dhe Trumpit, ku diskutuan edhe bashkëpunimin ushtarak dhe prodhimin e dronëve. Ukraina po përdor dronë për të goditur rafineritë dhe objektet energjetike ruse, ndërsa Moska ka përqendruar sulmet ajrore ndaj qyteteve ukrainase.

Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit njoftoi se bilanci i një sulmi të fundit ndaj kryeqytetit u rrit në 32 viktima, pasi një person ndërroi jetë nga plagët e marra. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës ndaj Kievit që nga fillimi i pushtimit. Autoritetet ukrainase raportuan të mërkurën se një sulm rus ndaj një kampi pushimi në rajonin qendror të Zaporizhzhias la dy të vdekur dhe 12 të plagosur.

“Nuk ka asnjë arsye ushtarake në këtë sulm. Është vetëm mizori për të frikësuar njerëzit”, tha Zelensky.