Trumpi shpërtheu kundër Netanyahut për urinë në Gazë
Foto: Getty Images

Trumpi shpërtheu kundër Netanyahut për urinë në Gazë

Bota August 08, 2025 - 12:44

Presidenti amerikan Donald Trump pati një telefonatë të nxehtë më 28 korrik me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me krizën humanitare në Rripin e Gazës.

Sipas raportimit të NBC News, që citon burime të larta amerikane të paidentifikuara, biseda u shkaktua pasi Netanyahu gjatë një ngjarje deklaroi se, ndonëse kishte raporte për uri në Gazë, në fakt njerëzit atje nuk po vuajnë nga mungesa e bukës.

Trump, përgjigjja e të cilit erdhi të nesërmen, shprehu dyshimin për këto deklarata, duke theksuar se në enklavë ekzistonte “një uri e vërtetë” që nuk mund të mohohej.

Pas komenteve të presidentit amerikan, Netanyahu kërkoi një tjetër telefonatë me Trumpin, por ajo nuk shkoi siç pritej. Gjatë bisedës, Netanyahu i tha Trumpit se raportet për urinë ishin “të fabrikuara” nga Hamasi dhe se situata nuk ishte aq serioze sa raportohej.

Për këtë, Trumpi reagoi me zemërim, duke ia ndërprerë fjalën kryeministrit izraelit ndërsa i ofronte prova të qarta që tregonin se fëmijët në Gazë po vuajnë nga uria, dhe se ai nuk do të pranojë informacione “të rreme”.

Raporti thekson se gjatë telefonatës Trumpi ishte ai që dominonte bisedën, ndërsa Netanyahu dëgjonte kryesisht në heshtje.

Nga ana e tij, zyra e Netanyahut e mohoi këtë version të ngjarjeve, duke e quajtur si “fake news” dhe ka hedhur poshtë pretendimet për tension midis dy liderëve.

Megjithatë, pas telefonatës, Trumpi dërgoi të dërguarin special, Steve Witkoff, për të inspektuar vendet e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gazë. /Telegrafi