Zelensky: Ukrainasit nuk do t’ia dorëzojnë tokën pushtuesit

Zelensky: Ukrainasit nuk do t’ia dorëzojnë tokën pushtuesit

Bota August 09, 2025 - 09:56

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka kundërshtuar të shtunën një samit të caktuar midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, duke paralajmëruar se çfarëdo marrëveshje për paqe pa Kievin do të prodhojë “zgjidhje të vdekura”.

Takimi, i caktuar për të premten në Alaskë të SHBA-së, shihet si përparim i mundshëm pas javësh zhgënjimi për mungesën e veprimeve për t’i ndalur luftimet.

Në një deklaratë të postuar në Telegram, Zelensky tha se integriteti territorial i Ukrainës, i përcaktuar në Kushtetutë, nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve dhe theksoi se paqja e qëndrueshme duhet ta përfshijë edhe zërin e Ukrainës në tryezë e bisedimeve.

Zelensky tha se Ukraina “nuk do t’ia japë Rusisë asnjë shpërblim për atë që ka bërë” dhe se “ukrainasit nuk do t’ia japin tokën e vet pushtuesit.”

Duke iu referuar shqetësimeve të ukrainasve se një takim i drejtpërdrejtë midis Putinit dhe Trump mund t’i anashkalojë Kievin dhe interesat evropiane, Zelensky tha: “Çdo zgjidhje që është pa Ukrainën, është njëkohësisht zgjidhje kundër paqes. Ato nuk do të sjellin asgjë. Janë zgjidhje të vdekura, nuk do të funksionojnë kurrë”.

Zyrtarë ukrainas më parë i kishin thënë privatisht agjencisë Associated Press se Kievi do të ishte i hapur për një marrëveshje për paqe që në mënyrë faktike do ta pranonte paaftësinë e Ukrainës për t’i rimarrë ushtarakisht territoret e humbura.

Trumpi tha se do të takohet me Putinin për të biseduar për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Duket plotësisht logjike që delegacioni ynë të fluturojë përtej ngushticës së Beringut dhe që një samit kaq i rëndësishëm dhe i shumëpritur i udhëheqësve të dyja vendeve të mbahet në Alaskë”, tha këshilltari e Putinit për çështjet e jashtme, Yuri Ushakov, sipas agjencisë shtetërore ruse, RIA Novosti.

Një samit i tillë mund të jetë vendimtar në një luftë që filloi më shumë se tri vjet më parë, kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet perëndimor, dhe që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima.

Megjithatë, nuk ka asnjë garanci se do t’i ndalojë luftimet, pasi Moska dhe Kievi ende kanë shumë mospajtimet rreth kushteve për paqe.

Duke folur për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, para se të konfirmonte datën dhe vendin e takimit, Trump la të kuptohej se çdo marrëveshje do të përfshinte “shkëmbimin e disa territoreve” por nuk dha hollësi.

Analistë, përfshirë disa të afërt me Kremlinin, kanë thënë se Rusia mund të ofrojë të heqë dorë nga territore që kontrollon jashtë katër rajoneve ukrainase që pretendon se i ka aneksuar.

Trump tha se takimi i tij me Putinin do të mbahej para çdo diskutimi ballë për ballë me Zelenskyn. Ai më parë ishte pajtuar të takohej me Putinin edhe nëse ky i fundit nuk do të takohej me Zelenskyn.

Kjo ngjalli frikë në Evropë se Ukraina mund të lihet mënjanë në përpjekjet për të ndalur konfliktin më të madh në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore./REL