Zelensky para takimit me Trumpin: Ukraina s’do t’i përsërisë gabimet e së kaluarës
Foto: AFP

Zelensky para takimit me Trumpin: Ukraina s’do t’i përsërisë gabimet e së kaluarës

Bota August 18, 2025 - 13:56

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në SHBA për bisedime me rëndësi të lartë me presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe udhëheqësit evropianë.

“Ne të gjithë duam njësoj ta përfundojmë këtë luftë shpejt dhe me besueshmëri”, tha Zelensky, duke shtuar se paqja duhet të jetë e qëndrueshme, shkruajnë mediat e huaja.

“Jo siç ishte vite më parë, kur Ukraina u detyrua të hiqte dorë nga Krimea dhe një pjesë e Donbasit, dhe Putini thjesht e përdori atë si një trampolinë për një sulm të ri. Apo kur Ukrainës iu dhanë ‘garanci sigurie’ të supozuara në vitin 1994, të cilat nuk funksionuan”, shtoi ai.

Zelensky theksoi se Ukraina nuk duhej ta kishte hequr dorë nga Krimea në vitin 2014, “ashtu siç ukrainasit nuk hoqën dorë nga Kievi, Odesa ose Kharkivi pas vitit 2022”.

Sipas tij, Forcat Mbrojtëse të Ukrainës aktualisht po bëjnë përparim në rajonet e Donetskut dhe Sumit.

“Ne do ta mbrojmë Ukrainën, do ta garantojmë në mënyrë efektive sigurinë e saj dhe populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj presidentit Trump, ndaj të gjithëve në Amerikë dhe ndaj çdo partneri për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të paçmuar.”

“Rusia duhet ta përfundojë këtë luftë që e nisi vetë. Dhe shpresoj që forca jonë e përbashkët me Amerikën, me miqtë tanë evropianë, do ta detyrojë Rusinë të bëjë paqe të vërtetë”, shtoi Zelensky.

Ndryshe, bisedimet me Trumpin pritet të përqendrohen në opsionet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe mundësinë e një takimi midis Zelenskyt dhe presidentit rus Vladimir Putin. /Telegrafi