
Palestinezët largohen nga qyteti i Gazës, ndërsa Izraeli thotë se kanë filluar fazat e para të sulmit
Zyrtarët në qytet thonë se një numër i madh palestinezësh po vazhdojnë të largohen nga qyteti i Gazës, pasi ushtria izraelite filloi fazat e para të një ofensive të planifikuar tokësore.
Trupat izraelite kanë krijuar një pikëmbështetje në periferi të qytetit – që është shtëpia e më shumë se një milion palestinezëve – pas ditësh bombardimesh intensive dhe zjarri artilerie.
Kjo e ka shtyrë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, të ripërsërit thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm “për të shmangur vdekjen dhe shkatërrimin” që një sulm do të “shkaktonte në mënyrë të pashmangshme”.
Izraeli dëshiron të sinjalizojë se po ecën përpara me planin e tij për të pushtuar të gjithë qytetin e Gazës, pavarësisht kritikave ndërkombëtare.
Një zëdhënës ushtarak tha se trupat tashmë po vepronin në zonat Zeitoun dhe Jabalia për të hedhur themelet për ofensivën, të cilën Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e miratoi të martën dhe e cila do t’i paraqitet kabinetit të sigurisë më vonë këtë javë.
Rreth 60,000 rezervistë po thirren për fillimin e shtatorit për të liruar personelin aktiv për operacionin.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se po “shkurton afatet kohore” për kapjen e asaj, që ai e përshkroi si “fortesat e fundit të terrorit” në Gaza.
Në një deklaratë, Hamasi akuzoi udhëheqësin izraelit për vazhdimin e një “lufte brutale kundër civilëve të pafajshëm në qytetin e Gazës”, dhe kritikoi atë që e quajti “mosrespektim” i tij për një propozim të ri për armëpushim nga ndërmjetësit rajonalë. Izraeli ende nuk i është përgjigjur zyrtarisht planit.
Qindra mijëra palestinezë në qytetin e Gazës pritet të urdhërohen të evakuohen dhe të shkojnë në strehimore në Gazën jugore, ndërsa përgatitjet për planin e pushtimit kanë filluar.
Shumë nga aleatët e Izraelit e kanë dënuar planin e tij, me presidentin francez Emmanuel Macron, që paralajmëroi të mërkurën se kjo “mund të çojë vetëm në katastrofë për të dy popujt dhe rrezikon të zhytë të gjithë rajonin në një cikël lufte të përhershme”.
Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) tha se zhvendosja e mëtejshme dhe një intensifikim i armiqësive “rrezikojnë të përkeqësojnë një situatë tashmë katastrofike” për popullsinë 2.1 milionëshe të Gazës.
Qeveria e Izraelit njoftoi qëllimin e saj për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës, pasi bisedimet indirekte me Hamasin për një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve u prishën muajin e kaluar.
Duke folur në një konferencë televizive të mërkurën, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjeneral brigade Effie Defrin, tha se Hamasi është “i goditur dhe i plagosur” pas 22 muajsh lufte.
“Ne do ta thellojmë dëmin ndaj Hamasit në qytetin e Gazës, një fortesë e terrorit qeveritar dhe ushtarak për organizatën terroriste”, shtoi ai.
“Ne do ta thellojmë dëmin ndaj infrastrukturës terroriste mbi dhe nën tokë dhe do ta ndërpresim varësinë e popullsisë nga Hamasi”, tha ndër tjera.
Por Defrin theksoi se IDF “nuk po priste” për të filluar operacionin.
“Ne kemi filluar veprimet paraprake dhe tashmë, trupat e IDF po mbajnë periferitë e qytetit të Gazës”, shtoi Defrin. /Telegrafi