
Përmbysja e autobusit turistik në New York, raportohet për së katër të vdekur
Një autobus turistik që po kthehej nga një udhëtim në Niagara Falls është përmbysur të premten në shtetin e New Yorkut, duke shkaktuar vdekjen e të paktën katër personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, raportoi ABC News duke u thirrur në burime brenda policisë.
Aksidenti ndodhi në autostradën Interstate 90, pranë qytetit Pembroke afër Buffalos. Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan autobusin të përmbysur në një kanal, ndërsa dhjetëra ekipe emergjente dhe helikopterë mjekësorë ndodheshin në terren për shpëtimin e pasagjerëve.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Shtetit të New Yorkut, James O’Callaghan, autobusi me 52 pasagjerë po udhëtonte drejt lindjes kur humbi kontrollin, doli në mes të autostradës, u përpoq të kthehej dhe përfundoi në kanal. “Shumica e udhëtarëve kanë marrë lëndime – prerje, mavijosje dhe gërvishtje – ndërsa disa u nxorën ose mbetën të bllokuar brenda”, tha ai.
Në mesin e viktimave është të paktën një fëmijë. Fillimisht policia raportoi se në aksident ishte përfshirë edhe një kamion, por më pas konfirmoi se vetëm autobusi ka qenë i përfshirë.
Shumica e pasagjerëve ishin shtetas indianë, kinezë dhe filipinas. Shoferi ka mbijetuar dhe është në gjendje të mirë.
Të paktën 16 pacientë u dërguan në qendrën mjekësore Erie County, tre të tjerë në spitalin Strong Memorial, ndërsa një fëmijë në spitalin pediatrik Oishei.