Dyshohet se vrau dy policë, vazhdon kërkimi për një të armatosur në Australi

Dyshohet se vrau dy policë, vazhdon kërkimi për një të armatosur në Australi

Bota August 27, 2025 - 10:59

Policia australiane u ballafaqua me mot dimëror të mërkurën, përderisa e vazhdoi kërkimin në një zonë rurale për një burrë “të armatosur rëndë”, i cili dyshohet se qëlloi për vdekje dy policë dhe plagosi një tjetër në një pronë rurale në shtetin Victoria.

Policia tha se dita e dytë e kërkimit “po shkonte vështirë” për policët, me rrezikun për reshje bore dhe pa shenja për të dyshuarin 56-vjeçar, Dezi Freeman, për të cilin tha se ka shkathtësi prej eksperti për të jetuar mes shkurreve dhe disa armë zjarri të fuqishme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Mund të konfirmoj se i dyshuari për këtë ngjarje të tmerrshme është ende në arrati” – tha komandanti i policisë në Victoria, Mike Bush, në një konferencë për gazetarë të mërkurën në mëngjes.

“Kërkimi do të vazhdojë derisa ta gjejmë atë” – premtoi zyrtari policor.

Të martën, një ekip prej dhjetë policësh, përfshirë pjesëtarë të ekipit hetues për shkelje seksuale dhe me fëmijë, arritën në një pronë në Porepunkah, rreth 300 kilometra në verilindje të qytetit Melbourne, për të zbatuar një urdhërarrest.

Freeman, i njohur më parë si Desmond Filby, dyshohet se shtiu me armë në drejtim të policëve, duke vrarë dy prej tyre dhe duke plagosur një tjetër para se të ikte në këmbë drejt disa shkurreve të dendura, tha policia.