
Koreja e Jugut miraton ligjin që ndalon përdorimin e telefonave gjatë orëve të mësimit
Koreja e Jugut ka miratuar një ligj të ri që ndalon përdorimin e telefonave të mençur dhe pajisjeve të tjera inteligjente gjatë orëve të mësimit në të gjitha shkollat e vendit, duke filluar nga marsi i vitit 2026. Kjo iniciativë, e mbështetur nga të dyja partitë politike, synon të frenojë varësinë ndaj teknologjisë tek fëmijët dhe adoleshentët, pasi studimet e fundit kanë theksuar ndikimet negative që përdorimi i tepruar i telefonave ka në përqendrimin, të nxënit dhe zhvillimin emocional të nxënësve.
Ligji, ndonëse zbatohet vetëm gjatë orës së mësimit, u jep mësuesve të drejtën të ndalojnë përdorimin e telefonave edhe në ambiente të tjera të shkollës. Gjithashtu, ai i obligon institucionet arsimore të ofrojnë edukim mbi përdorimin e shëndetshëm dhe të kontrolluar të pajisjeve dixhitale. Parashikohen edhe disa përjashtime: nxënësit me aftësi të kufizuara ose me nevoja të veçanta arsimore do të lejohen të përdorin pajisje ndihmëse, si dhe në raste emergjente apo për qëllime edukative.
Shumë prindër dhe mësues e mbështesin ligjin, duke theksuar se telefonat shpesh shpërqendrojnë nxënësit dhe pengojnë zhvillimin e tyre social dhe akademik. Një sondazh i brendshëm në radhët e mësuesve tregon se rreth 70% kanë përjetuar ndërprerje të mësimit për shkak të përdorimit të telefonave në klasë.
Megjithatë, nuk mungojnë kritikat. Disa mësues dhe nxënës mendojnë se ndalimi nuk e zgjidh problemin në thelb, por merret vetëm me pasojat. Ata thonë se nxënësit janë nën presion të madh për rezultate në provimin e pranimit në universitet (Suneung), dhe telefonat shpesh janë mënyra e vetme për të ruajtur kontakte shoqërore përtej orëve të mësimit. Disa nxënës thonë se nuk kanë kohë për të rënë në varësi nga telefonat, pasi janë të zënë me mësime dhe kurse deri në mesnatë. Kritikët theksojnë nevojën për edukim dhe mbështetje psikologjike, jo vetëm për ndëshkim apo konfiskim.
Në thelb, ligji i ri pasqyron një përpjekje për të balancuar përfitimet e teknologjisë me nevojën për përqendrim në të nxënë, por gjithashtu ka hapur një debat më të gjerë në shoqërinë koreane për mënyrën si trajtohet arsimi, teknologjia dhe mirëqenia e të rinjve./abcnews