
Guvernatorja e Rezervës Federale padit Donald Trump për shkarkimin nga detyra
Guvernatorja e Rezervës Federale të SHBA-ve, Lisa Cook, ka ngritur padi ndaj presidentit Donald Trump, pas vendimit të këtij të fundit për ta shkarkuar nga detyra. Padia u depozitua këtë të enjte në një gjykatë federale në Uashington, sipas dokumenteve zyrtare. Detaje të tjera mbi përmbajtjen e padisë nuk janë bërë ende të ditura.
Vendimi për të ndjekur rrugën ligjore vjen vetëm disa ditë pasi Trump deklaroi se po e shkarkonte menjëherë Cook, duke e akuzuar për mashtrim në aplikimet për kredi hipotekore.
Bill Pulte, aleat i Trump dhe drejtues federal për çështjet e banesave, e ka akuzuar Cook për mashtrim hipotekor, duke pretenduar se ajo ka deklaruar si banesa kryesore dy prona të blera në të njëjtën periudhë, njëra në Michigan dhe tjetra në Atlanta, gjë që nëse provohet, do t’i kishte mundësuar përfitime më të favorshme në kredi.
Akuzat e bëra publike nga Pulte datojnë nga viti 2021, përpara se Cook të emërohej nga administrata Biden në Bordin e Rezervës Federale në vitin 2022. Mandati i saj është i parashikuar të zgjasë deri në vitin 2038.
Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë nuk ka ngritur akuza ndaj saj dhe nuk e ka akuzuar zyrtarisht për ndonjë shkelje. Cook dhe avokati i saj, Abbe Lowell, kanë deklaruar se Trump nuk ka autoritet ligjor për ta shkarkuar. “Përpjekja për ta larguar nga detyra, e mbështetur vetëm në një letër referimi, nuk ka as bazë faktike dhe as juridike,” u shpreh Lowell të martën.
Vendimi për shkarkimin e Cook konsiderohet si një tjetër sulm ndaj pavarësisë së Rezervës Federale nga ana e Trump, i cili ka kërkuar uljen e normës bazë të interesit me tre pikë përqindjeje, nga 4.25%-4.5% në nivele shumë më të ulëta.
Aleatët e Trump kanë kërkuar gjithashtu ndryshime të thella në strukturën e qeverisjes së Fed-it, përfshirë kontroll më të madh mbi buxhetin dhe masa që do ta bënin më të lehtë shkarkimin e anëtarëve të bordit.
Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi të martën se i kishte sugjeruar kryetarit të Fed-it, Jay Powell, të ndërmarrë një hetim të brendshëm përpara se administrata Trump të niste një hetim të jashtëm.
“Rezerva Federale është një institucion pa llogaridhënie të drejtpërdrejtë dhe besimi i publikut është thelbësor për funksionimin e saj,” tha Bessent për Fox Business, duke shtuar se akuza të tilla si ato ndaj Cook “dëmtojnë këtë besim”.
Nëse përpjekja e Trump për ta shkarkuar Cook rezulton e suksesshme, ai do të përfitonte një shumicë të emëruar prej tij në Bordin Shtatëanëtarësh të Rezervës Federale.
Të gjithë anëtarët e bordit votojnë në Komitetin Federal të Tregut të Hapur, që përcakton normat e interesit, dhe kanë ndikim në rinovimin e mandateve të presidentëve të bankave rajonale të Fed-it, si dhe në qeverisjen e përgjithshme të institucionit.
Rezerva Federale deklaroi të martën se “do të respektojë çdo vendim të gjykatës”, e cila pritet të shprehet në ditët në vijim./abcnews