
OKB: S’ka mbetur shumë kohë për të ndaluar urinë në Gazë
“Nuk kemi shumë kohë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të urisë në Gazë”, tha një zyrtar i lartë i OKB-së, duke i bërë thirrje Izraelit të lejojë shpërndarjen e papenguar të ndihmës humanitare në enklavën e shkatërruar nga lufta.
Sipas agjencisë globale të monitorimit të urisë, qindra mijëra palestinezë janë tashmë në rrezik të urisë në zona që përfshijnë qytetin e Gazës, qendrën më të madhe urbane të enklavës, ku Izraeli thotë se ka nisur një ofensivë kundër Hamasit, shkruan Reuters.
Izraeli, i cili ndaloi rrjedhën e ndihmës humanitare për 11 javë, nga marsi deri në mesin e majit, ka thënë se po bën më shumë për të lejuar hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmës në enklavë për të parandaluar mungesat e ushqimit, megjithëse agjencitë ndërkombëtare thonë se nevojitet më shumë.
“Ekziston një dritare e ngushtë, deri në fund të shtatorit, për të parandaluar përhapjen e urisë në Deir al-Balah në Gazën Qendrore dhe Khan Yunis në Gazën Jugore. Dritarja tani po mbyllet me shpejtësi”, tha shefi humanitar i Kombeve të Bashkuara, Tom Fletcher.
Izraeli nisi një ofensivë në periferi të qytetit të Gazës muajin e kaluar dhe forcat e tij tani janë vetëm pak kilometra larg qendrës së qytetit, ku ushtria lëshoi ënjë paralajmërim për civilët gjatë fundjavës që të evakuonin ndërtesat shumëkatëshe, duke thënë se Hamasi ishte brenda, përpara se t’i bombardonte ato.
Izraeli nuk ka dhënë asnjë provë se Hamasi është në ndërtesa. /Telegrafi