
“Nuk do ta lejoj kurrë trashëgiminë tënde të vdesë”, e veja e Charlie Kirk mban një fjalim plot lot pas vdekjes së tij
E veja e Charlie Kirk, Erika, ka mbajtur një fjalim plot lot në të cilin falënderoi ndihmësit e parë për përpjekjen për të shpëtuar jetën e burrit të saj pasi ai u qëllua për vdekje në një kampus universitar në Utah të SHBA-së.
Në një transmetim të drejtpërdrejtë, duke qëndruar pranë karriges bosh të burrit të saj që ai përdorte gjatë incizimeve të podkasteve, ajo citoi Biblën dhe foli për dashurinë e tij për Presidentin Donald Trump, Zëvendëspresidentin JD Vance, Shtetet e Bashkuara dhe dy fëmijët e çiftit, shkruan BBC.
Kirk, një aktivist i krahut të djathtë, u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një fjalimi në ajër të hapur në Orem, Utah. Vrasësi i dyshuar i tij, Tyler Robinson, u arrestua të enjten në mbrëmje pasi iu dorëzua policisë.
Në fjalën e saj, Kirk u zotua: “Zëri i burrit tim do të jetojë përgjithmonë”.
Transmetimi nga selia e Turning Point USA në Arizona filloi me disa minuta heshtje, ndërsa kamera transmetoi edhe karrigen bosh të Charlie Kirk.
Ndërsa e veja e tij filloi të fliste, ajo shikoi lart dhe pëshpëriti një lutje në heshtje.
Më pas ajo falënderoi ndihmësit e parë që u përpoqën ta shpëtonin, stafin e burrit të saj dhe Shtëpinë e Bardhë.
“Z. President, im shoq ju donte. Dhe ai e dinte që edhe ju e donit atë”, tha ajo me lot në sy, duke falënderuar gjithashtu Vance dhe gruan e tij Usha që shoqëruan arkivolin në Arizona.
“Por mbi të gjitha, Charlie i donte fëmijët e tij. Dhe ai më donte mua. Me gjithë zemër. Dhe ai sigurohej që unë ta dija këtë çdo ditë”.
Duke iu drejtuar “keqbërësve”, Kirk tha: “Nuk e keni idenë se çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje, britmat e kësaj vejushe do të jehojnë në të gjithë botën si një britmë beteje”.
“Të gjithë duhet ta dinë këtë: nëse mendonit se misioni i burrit tim ishte i fuqishëm më parë, nuk e keni idenë, nuk e keni idenë se çfarë keni shpalosur në të gjithë këtë vend dhe këtë botë”.
Turneu i burrit të saj në kampuset universitare të SHBA-së do të vazhdojë gjatë gjithë vjeshtës dhe në vitet që vijnë, tha ajo, pa ofruar detaje të mëtejshme. Podkasti i tij do të vazhdojë gjithashtu.
Kirk foli gjithashtu për djalin e tyre njëvjeçar dhe vajzën trevjeçare, duke thënë se nuk dinte si ta shpjegonte vdekjen e papritur të babait të tyre.
“Zemër, babi të do shumë. Mos u shqetëso. Ai është në një udhëtim pune me Jezusin”, i tha ajo vajzës së tyre.
Kirk, 36 vjeçe dhe fëmijët e tyre thuhet se ishin në audiencë kur burri i saj u qëllua.
Erika Kirk është një grua biznesi dhe ish-fituese e Miss Arizona USA, e cila u takua me bashkëshortin e saj në vitin 2018. Çifti u fejua në vitin 2020 dhe u martua më pak se një vit më vonë.