Lufta në Gaza, universitetet botërore ndërpresin bashkëpunimin me akademinë izraelite

Lufta në Gaza, universitetet botërore ndërpresin bashkëpunimin me akademinë izraelite

Bota September 13, 2025 - 15:37

Një numër gjithnjë e më i madh universitetesh dhe institucionesh akademike në botë po ndërpresin lidhjet me akademinë izraelite, mes akuzave se ajo është e përfshirë në politikat e qeverisë izraelite ndaj palestinezëve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, mbi 63 mijë persona janë vrarë deri tani, shumica civilë, ndërsa OKB-ja paralajmëron se territoret ndodhen përballë një urie të shkaktuar nga njeriu.

Universitete në Brazil, Norvegji, Belgjikë, Spanjë e Irlandë kanë anuluar marrëveshje bashkëpunimi me institucione izraelite, ndërsa Universiteti i Amsterdamit ka ndërprerë programin e shkëmbimeve me Universitetin Hebraik të Jeruzalemit. Edhe Shoqata Evropiane e Antropologëve Socialë ka njoftuar se nuk do të bashkëpunojë më me akademinë izraelite, duke ftuar anëtarët e saj të bëjnë të njëjtën gjë.

Megjithatë, shumë universitete në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Gjermani nuk i janë bashkuar bojkotit, duke argumentuar se kjo cënon lirinë akademike. Ndërkohë, presioni mbi Izraelin po shtohet. Komisioni Evropian ka propozuar kufizime në pjesëmarrjen e vendit në programin e kërkimeve “Horizon Europe”, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se një bllokim i fondeve dhe bashkëpunimeve mund të shkaktojë largimin e studiuesve nga vendi dhe një “brain drain” të rrezikshëm për ekonominë izraelite.

Përkrahësit e bojkotit theksojnë se institucionet izraelite janë pjesë e një sistemi shtypës që ka dekada, ndërsa kritikët paralajmërojnë se kjo qasje ndëshkon edhe akademikë që janë kundër politikave të qeverisë Netanyahu. Debati mbetet i hapur, por fushata po fiton terren në skenën ndërkombëtare.  /abcnews