Një serb në Austri vret gruan, plagos vajzën dhe partnerin e saj e më pas i jep fund jetës

Një serb në Austri vret gruan, plagos vajzën dhe partnerin e saj e më pas i jep fund jetës

Bota September 17, 2025 - 14:10

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Vjenës mbrëmjen e kaluar, ku një burrë me origjinë nga Serbia vrau bashkëshorten e tij, plagosi rëndë vajzën e tyre dhe partnerin e saj, përpara se të vetëvritej.

Sipas raportimeve nga mediat austriake dhe ballkanike, ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen qendrore Leopoldstadt. Autori dyshohet se kreu krimin në afërsi të ndërtesës ku jetonte familja, duke lënë trupin e bashkëshortes të pajetë në hyrje të apartamentit.

Policia, e alarmuar nga telefonatat e banorëve që dëgjuan të shtëna armësh, ndërhyri menjëherë. Në ambientet e brendshme të apartamentit u gjetën dy të rinj të plagosur rëndë: vajza 24-vjeçare e çiftit dhe i dashuri i saj 26-vjeçar. Të dy ndodhen në spital, ndërsa vajza raportohet të jetë në gjendje kritike për jetën.

Burri tentoi të largohej nga vendngjarja me një veturë Mercedes, por pas ndjekjes nga autoritetet u gjet i plagosur rëndë brenda automjetit. Më pas, u konfirmua se kishte kryer vetëvrasje dhe nuk ishte qëlluar nga policia, siç dyshohej fillimisht.

Një tjetër detaj tronditës është se në momentin e krimit në banesë ndodheshin edhe dy fëmijë të vegjël, të cilët fatmirësisht nuk u lënduan, por përjetuan skenën e rëndë.

Për shkak të situatës së tensionuar, autoritetet vendosën të bllokojnë disa rrugë në zonë dhe u bë thirrje qytetarëve të mos dilnin jashtë.

Ndërsa hetimet janë në vazhdim, një nga pistat që po shqyrtohet si motiv i mundshëm i këtij akti të rëndë është ndarja e afërt e çiftit, të cilët sipas informacioneve ishin në proces divorci.