
Spanja dhe Norvegjia do financojnë palestinezët pas mbajtjes së taksave nga Izraeli
Spanja dhe Norvegjia po planifikojnë të krijojnë një fond për palestinezët, i cili do të shërbejë si kompensim për taksat e mbajtura nga Izraeli, deklaroi ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, gjatë një vizite në Egjipt.
“Izraeli po përpiqet të shkatërrojë idenë dhe mundësinë e një shteti palestinez me bomba në Gaza, në një masakër të vërtetë,” tha Albares.
Në shkurt të vitit 2024, Norvegjia kishte njoftuar se do të transferonte fondet tatimore te Autoriteti Palestinez, të cilat kishin qenë të bllokuara për muaj të tërë për shkak të një mosmarrëveshjeje me Izraelin.
Izraeli mbledh taksa dhe dogana në emër të Autoritetit Palestinez, i cili administron pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe gjithashtu ndihmon në pagesën e shërbimeve publike në Gaza. Megjithatë, që nga sulmi i Hamasit në vitin 2023, qeveria izraelite ka refuzuar të transferojë fondet në Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO). Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, nga e djathta ekstreme, deklaroi se këto fonde do të përdoreshin për të financuar terrorizmin.
Qeveria spanjolle e njohu zyrtarisht Palestinën si shtet në maj të vitit të kaluar. Norvegjia dhe Irlanda ndërmorën të njëjtin hap.
Ndërkohë, ministrja gjermane e Zhvillimit, Reem Alabali-Radovan, ka kritikuar ashpër sulmet izraelite në Rripin e Gazës.
“Qeveria izraelite duhet të ndalojë ofensivën dhe të lejojë që ndihma ndërkombëtare të arrijë në mënyrë të qëndrueshme në Rripin e Gazës. Dhe është shumë e qartë se, në të njëjtën kohë, Hamasi duhet të lërë armët dhe të lirojë të gjithë pengjet pa kushte,” deklaroi politikania socialdemokrate në Bundestag.
Ajo kërkoi një armëpushim të menjëhershëm, duke shtuar se: “Situata në Gaza është tejet prekëse dhe se uria atje është shkaktuar nga njeriu. Në Gaza, njerëzit po vdesin nga uria, edhe pse mund të shohin furnizimet me ndihma në anën tjetër të gardhit. Dhe situata është përkeqësuar edhe më shumë që nga dje.