
Kolumbi: Ushtria vrau civilë për ngritje në detyrë, 12 ish-komandantë në burg
Një gjykatë speciale në Kolumbi dënoi sot 12 ish-komandantë ushtarakë me tetë vjet shërbim komunitar për rolin e tyre në ekzekutimin e 135 personave.
Disa prej tyre morën dënime më të ulëta pasi ishin dënuar tashmë për vrasje nga gjykatat e rregullta.
Këto janë vendimet e para të dhëna për ish-anëtarë të ushtrisë nga një gjykatë speciale e formuar në bazë të marrëveshjes së paqes të vitit 2016, raportoi Reuters.
“Me vendimin e sotëm kundër anëtarëve të ushtrisë, ne pranojmë dhe këmbëngulim në të vërtetën që është fshehur për vite me radhë”, tha presidenti i gjykatës, Alejandro Ramelli.
Gjykata ka juridiksion mbi udhëheqësit rebelë nga radhët e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), si dhe komandantët e ushtrisë që po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më herët këtë javë, një gjykatë speciale dënoi shtatë ish-udhëheqës të grupit FARC me tetë vjet burg për rolin e tyre në rrëmbime.
Të paktën 6,402 persona u vranë midis viteve 2002 dhe 2008, tregojnë të dhënat e gjykatës, ndërsa grupet që përfaqësojnë viktimat thonë se numri është më i lartë.
Ushtarët, të cilët po përpiqeshin të merrnin ngritje në detyrë dhe të merrnin leje, joshnin civilët duke u premtuar vende pune, pastaj i vrisnin dhe i portretizonin si kryengritës të vrarë në betejë, tha agjencia.
Midis viktimave të ish-komandantëve ushtarakë që u dënuan sot ishin anëtarë të komuniteteve indigjene të Viva dhe Kankuamo, territoret e të cilave në vitet ’90 të shekullit të kaluar u bënë pika kryesore për tregtinë e drogës nga paraushtarakët e krahut të djathtë dhe militantët e krahut të majtë.