
Lëkundet politika në Gjermani, AfD del për herë të parë forcë e parë në sondazhe
Një sondazh i ri nga INSA, i publikuar nga gazeta gjermane BILD, ka sjellë një tronditje në politikën gjermane. Për herë të parë, partia e djathtë ekstreme AfD (Alternative für Deutschland) ka kaluar në vend të parë, duke lënë pas koalicionin konservator CDU/CSU (Unioni).
Sipas rezultateve, AfD regjistron 26% të mbështetjes, një rritje me një pikë nga java e kaluar, duke arritur nivelin më të lartë ndonjëherë në sondazhet e INSA. CDU/CSU zbret në 25%, duke humbur pozicionin e parë që tradicionalisht mbahej nga partitë kryesore të qendrës së djathtë ose nga Socialdemokratët.
Në të njëjtin sondazh:
SPD (Partia Socialdemokrate) rritet lehtë në 15%;
Të Gjelbrit pësojnë një rënie të ndjeshme në 11%, barazuar papritur me Partinë e Majtë, që gjithashtu ka 11%.
Sondazhi thekson se qeveria aktuale nuk do të kishte shumicën e nevojshme nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot. Një koalicion mes Unionit dhe SPD-së do të arrinte vetëm 40%, ndërsa një aleancë me Të Gjelbrit do të siguronte 37%, të dyja larg shumicës.
Në të kundërt, një bashkëpunim i mundshëm mes CDU/CSU dhe AfD do të përbënte një shumicë parlamentare me 51%, me AfD në pozicionin e forcës dominuese – një skenar që do të përbënte një kthesë dramatike për politikën gjermane.
Ndërkohë, popullariteti i liderit të Unionit, Friedrich Merz, është në rënie. Vetëm 25% e qytetarëve shprehen të kënaqur me drejtimin e tij, ndërsa rreth 66% janë të pakënaqur.
Rezultatet nënvizojnë një ndryshim të madh në balancën e forcave politike, duke konfirmuar rritjen e ndjeshme të AfD-së dhe rënien e mëtejshme të Të Gjelbërve, në një moment kur Gjermania po përballet me sfida të mëdha ekonomike, sociale dhe migratore. /euronews