
Obama thyen heshtjen: Ekstremizmi ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë
“Isha i prekur deri në lot nga vrasja e Charlie Kirk, edhe pse nuk ndaja pikëpamjet e tij. Por më shqetëson gjuha e përdorur nga presidenti dhe sidomos nga bashkëpunëtorët e tij.”
Me këtë mesazh të fortë, Barack Obama ka vendosur të thyejë heshtjen e tij të gjatë politike.
Ndryshe nga tradita e presidentëve të mëparshëm që nuk komentojnë mbi pasardhësit (rregulli i pashkruar”), ish-presidenti demokrat ka dalë hapur në skenë pas atentatit ndaj liderit të krahut të djathtë, Charlie Kirk.
Në një klimë ku Shtëpia e Bardhë dhe lëvizja MAGA po akuzojnë të majtën për radikalizëm dhe nxitje të dhunës, ndërsa brenda vetë Partisë Demokratike ka trazira të ndezura nga libri i Kamala Harris, Obama ka vendosur të reagojë. Ai u shfaq publikisht edhe pse aktualisht ndodhet me pushime në Liguri, në jahtin e regjizorit Steven Spielberg.
Në tre ditët e fundit, Obama ka mbrojtur median amerikane nga sulmet ndaj lirisë së shprehjes dhe ka kritikuar vendimin e Disney për të mbyllur emisionin satirik të Jimmy Kimmel në ABC, pas komenteve të tij mbi reagimet e mbështetësve të Trump për vrasjen e Kirk.
Në një diskutim të qetë në Jefferson Educational Society Summit në Erie, Pennsylvania, Obama jo vetëm që doli në mbrojtje të demokratëve, por edhe hodhi akuzat e rënda mbi ekipin e Trump.
“Ekstremizmi është problem nga të dyja anët, por kur unë isha president, ai nuk hynte në Shtëpinë e Bardhë. Sot kjo po ndodh. Duhet të luftojmë kundër çdo ekstremisti që rrezikon vlerat themeluese të Amerikës. Por gjithashtu duhet ta pranojmë se vendi ka një problem serioz kur peshën më të madhe e marrin pikëpamjet ekstreme që burojnë nga vetë qeveria amerikane”, u shpreh ai.
Obama shtoi se në momentet e vështira të së kaluarës, presidentët, edhe ata republikanë, kanë nxitur unitetin kombëtar.
“Kjo nuk po ndodh sot. Përkundrazi, presidenca me akuzat njëanshme po e vendos të majtën në bankën e të akuzuarve për dhunën politike, ndërkohë që thirrjet për të shënjestruar demokratët kanë ardhur pikërisht nga Shtëpia e Bardhë.” / abcnews