
Hungaria refuzon të ndalojë blerjen e naftës ruse, pavarësisht kërkesës së Trumpit për vendet e NATO-s
Hungaria nuk ka ndërmend të heqë dorë nga furnizimet me energji nga Rusia, deklaroi ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, në një intervistë për The Guardian, duke sfiduar kështu kërkesën e Shtëpisë së Bardhë, që vendet aleate të NATO-s të ndalojnë blerjen e naftës ruse.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që Evropa të ndërpresë importet e naftës nga Rusia. Por Szijjártó u shpreh se burimet ruse të naftës dhe gazit janë jetike për shtetin hungarez.
“Ne nuk mund të garantojmë furnizimin e sigurt të energjisë për vendin tonë pa burimet ruse të naftës dhe gazit”.
Ai shtoi se bëhet fjalë për një çështje fizike, jo politike, duke theksuar se Hungaria mund të blejë energji vetëm nga vendet me të cilat ka infrastrukturë të lidhur. Aktualisht, Hungaria importon rreth 5 milionë tonë naftë në vit përmes naftësjellësit “Druzhba”, që vjen nga Rusia dhe kalon përmes Sllovakisë.
Orbán, kryeministri hungarez dhe aleat ideologjik i Trump në Evropë, ka qenë kritik ndaj Ukrainës dhe ka ruajtur marrëdhënie të mira me Kremlinin, duke e vendosur Hungarinë shpesh në përplasje me pjesën tjetër të BE-së.
Trumpi së fundmi ka thënë se mund të vendosë sanksione ndaj Moskës, nëse plotësohet një kusht. “Jam gati të vendos sanksione të mëdha ndaj Rusisë, kur të gjitha vendet e NATO-s të kenë rënë dakord dhe të kenë ndalur blerjen e naftës nga Rusia”.
Finlanda dhe Polonia kanë mbështetur qëndrimin e Trump, duke u bërë thirrje Hungarisë dhe Sllovakisë të ndërpresin importet. Presidenti finlandez Alexander Stubb u shpreh se vendet europiane duhet të ndalojnë së bleri naftë ruse. “Trump ka të drejtë për ndalimin e blerjes së naftës ruse. Duhet të ushtrojmë presion ndaj Hungarisë dhe Sllovakisë”.
Ministri i Jashtëm polak, Radosëaë Sikorski, deklaroi nga Kievi se Hungaria ka mundësi të tjera të furnizimit me naftë. “Shpresoj që kryeministri Orban ta dëgjojë këtë thirrje të Presidentit Trump dhe të ndalojë blerjen e naftës ruse. Hungaria mund të furnizohet edhe nga jugu”.
Peter Szijjarto, nga ana e tij, i quajti zyrtarët perëndimorë “fanatikë” dhe u shpreh se është e pamundur një dialog racional me ta. Megjithatë, ai tha se marrëdhëniet me SHBA-në janë përmirësuar ndjeshëm. “Hungaria është i vetmi vend evropian që mbajti gishtat kryq për fitoren e Trumpit”. /abcnews