
Tërmet 6.1 ballësh godet Venezuelën, lëkundjet ndihen edhe në Kolumbi
Një tërmet me magnitudë të paktën 6.1 të shkallës Rihter ka goditur veriperëndimin e Venezuelës, duke shkaktuar lëkundje të ndjeshme në disa shtete të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Karakas.
Lëkundjet janë ndier gjithashtu në Kolumbinë fqinje, ku janë evakuuar ndërtesa banimi dhe zyra pranë kufirit.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti ndodhi të mërkurën, me epiqendër 24 kilometra larg komunitetit Mene Grande në shtetin Zulia, rreth 600 km në perëndim të Karakasit.
Tërmeti u regjistrua në një thellësi prej 7.8 kilometrash.
Deri tani nuk raportohet për dëme materiale apo viktima.
Venezuela ndodhet në një zonë aktive sizmike, për shkak të pllakave tektonike të Karaibeve dhe Amerikës së Jugut.
Rreth 80% e popullsisë jeton në zona të rrezikuara nga tërmetet.
Gjatë shekullit të fundit, pesë tërmete të mëdha kanë goditur pjesën veriore të vendit, përfshirë një tërmet me magnitudë 7.2 në vitin 2018 që shkaktoi mbi 400 viktima.