Gjermania përgatitet për luftë, trajnime për të trajtuar një mijë të plagosur në ditë

Gjermania përgatitet për luftë, trajnime për të trajtuar një mijë të plagosur në ditë

Bota September 25, 2025 - 14:35

Frika e një lufte Rusi-NATO po shtynë gjithmonë e më shumë vende të aleancës ta mendojnë seriozisht një skenar të tillë, e të nisin përgatitjet për të.

Mediat në Berlin raportojnë se forcat e armatosura gjermane janë duke planifikuar se si të trajtojnë rreth 1,000 ushtarë të plagosur në ditë nëse shpërthen një konflikt i madh. Këto përgatitje po bëhen pas paralajmërimeve nga Aleanca, se Moska mund të jetë e aftë të nisë një sulm ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-s që në vitin 2029. Pavarësisht se Moska vetë vazhdon të insistojë se në luftë frontale me aleancën më të madhe ushtarake të globit nuk është në planet e saj, incidentet e fundit nga avionë luftarakë dhe dronët rusë në territorin e vendeve të NATO-s kanë rritur frikën e përshkallëzimit.

Shefi i shtabit të Gjermanisë, Ralf Hoffman, deklaroi se numri i ushtarëve të plagosur në një konflikt të mundshëm do të varet nga intensiteti i luftimeve dhe nga njësitë ushtarake që do të ishin të përfshira.

“Realisht, po flasim për përgatitjet për një shifër prej rreth 1,000 ushtarësh të plagosur në ditë“, tha ai në një intervistë për Reuters. Gjermania po e përshtat vazhdimisht trajnimin e saj mjekësor, duke përfshirë mësimet nga lufta në Ukrainë. “Natyra e luftës ka ndryshuar në mënyrë dramatike në Ukrainë”, thotë Hoffmann, duke përmendur kalimin nga plagët me armë zjarri në lëndime nga shpërthimet dhe djegiet e shkaktuara nga dronët dhe municione të tjera.

Ushtarët ukrainas e përshkruajnë një korridor të mbushur me dronë, i cili shtrihet rreth 10 km në të dyja anët e frontit, si një “zonë vdekjeje”, pasi dronët nga të dyja palët zbulojnë dhe neutralizojnë shpejt objektivat.

“Ukrainasit shpesh nuk mund t’i evakuojnë të plagosurit e tyre aq shpejt sa duhet, sepse dronët fluturojnë kudo”, tha Hoffmann. Ai nënvizon nevojën për stabilizim të ushtarëve të plagosur, që ndonjëherë mund të zgjasë me orë të tëra, pikërisht në vijën e frontit.