Sekretari amerikan i Financave refuzon ta takojë presidentin e Serbisë

Sekretari amerikan i Financave refuzon ta takojë presidentin e Serbisë

Bota September 26, 2025 - 12:33

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të enjten se takimi i planifikuar me sekretarin amerikan të Financave, Scott Besent, nuk u zhvillua, pasi Besenti “papritur kishte një takim tjetër”. Megjithatë, Vuçiqi tha se bisedimet vazhduan me zyrtarë të tjerë amerikanë, duke përfshirë Richard Grenellin, përfaqësues special i presidentit amerikan për misione të veçanta dhe John Jovanoviq, president i Bankës Amerikane për Eksport-Import (EXIM).

Temë kryesore e diskutimeve ishte dogana prej 35%, që SHBA-ja ka vendosur për mallrat serbe.

“U fol për këtë çështje, por kjo do të jetë një histori më e gjatë. Shpresoj që do ta zgjidhim me sukses. E shoh që është një proces i zgjatur, por mund të shoh rreze dielli në fund të tunelit, pavarësisht procedurave shumë të ndërlikuara”, tha Vuçiqi, i cili ndodhet në New York për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ai njoftoi gjithashtu se sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, të cilat deri tani janë shtyrë gjashtë herë, do të hyjnë në fuqi më 1 tetor.

Kompania më e madhe e naftës në Serbi u përfshi në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të “rrezikut sekondar”, pasi shumica e pronësisë së saj është ruse.

“Ne kemi qenë jashtëzakonisht korrektë ndaj partnerëve rusë dhe partnerëve amerikanë dhe do të përpiqemi të vazhdojmë të jemi korrektë, por njerëzit duhet të dinë se do të duhet të paguajmë një çmim jashtëzakonisht të lartë”, tha Vuçiqi për mediat serbe në New York, duke shtuar se Serbia është “dëm kolateral i marrëdhënieve midis amerikanëve dhe rusëve”.

Ai paralajmëroi gjithashtu një periudhë të vështirë, duke thënë se vendi përballet me “një dimër të ashpër”.

Ndërkohë, struktura e pronësisë së NIS-it ka pësuar ndryshime gjatë kohës së fundit.

Kompania ruse “Gazprom” u largua nga pronësia në shtator, ndërsa një pronar i ri u bë kompania “Intelidzhens” nga Shën Petersburg, e menaxhuar nga “Gazprom”-i. /euronews.al