Trumpi thirrje prindërve: Mos i jepni paracetamol fëmijëve

Trumpi thirrje prindërve: Mos i jepni paracetamol fëmijëve

Bota September 26, 2025 - 18:40

Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë sërish këshilla për përdorimin e ilaçeve dhe vaksinave. Pas një konference për shtyp të mbajtur të hënën, ku i bëri thirrje grave shtatzëna të mos përdorin Tylenol, paracetamol, ai e përforcoi mesazhin edhe në një postim këtë të premte në “Truth Social”, duke shkruar: “Gra shtatzëna, mos përdorni Tylenol përveçse kur është absolutisht e nevojshme. Mos ia jepni Tylenolin fëmijëve tuaj të vegjël për pothuajse asnjë arsye.”

Deklaratat e presidentit erdhën pasi ai dhe ekipi i tij iu referuan një studimi të ri nga universitetet Mount Sinai dhe Harvard, i cili analizoi 46 kërkime të mëparshme dhe gjeti një lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut më të lartë të çrregullimeve të zhvillimit neurologjik, përfshirë autizmin. Megjithatë, shumë ekspertë theksojnë se një lidhje statistikore nuk provon shkak-pasojë, ndërsa kërkime të tjera të mëdha, si një studim suedez mbi 2.4 milionë fëmijë, nuk kanë gjetur asnjë lidhje, shkruan A2 CNN.

Trump shkoi edhe më tej, duke dhënë këshilla për vaksinat: ndarjen e dozës MMR (fruthi, shytat dhe rubeola) në tre vaksina të veçanta, vaksinën e lisë së dhenve veçmas, dhe shtyrjen e vaksinës kundër Hepatitit B deri në moshën 12-vjeçare.

Këto komente kanë nxitur reagime edhe brenda administratës. Zëvendëspresidenti JD Vance dhe shefi i CMS, Dr Mehmet Oz, dhanë qëndrime më të kujdesshme, duke theksuar se gratë shtatzëna duhet të konsultohen me mjekun. Dr Oz shtoi se në rastet me temperaturë të lartë, përdorimi i Tylenol-it mund të jetë i domosdoshëm, pasi edhe vetë ethet paraqesin rrezik për fëmijën.

Ndërkohë, kompania Kenvue, prodhuesja e Tylenol-it, mbrojti sigurinë e produktit, duke theksuar se dekada kërkimesh dhe vlerësime të autoriteteve shëndetësore ndërkombëtare nuk kanë gjetur prova të besueshme që e lidhin paracetamolin me autizmin.