BE-ja investon në dronë dhe Inteligjencë Artificiale për epërsinë mbrojtëse në të ardhmen

BE-ja investon në dronë dhe Inteligjencë Artificiale për epërsinë mbrojtëse në të ardhmen

Bota September 26, 2025 - 20:19

Me kërcënimet në rritje nga dronët dhe teknologjitë e reja, Bashkimi Evropian po rishikon strategjinë e tij të sigurisë. A është BE-ja gati për epokën e re të luftës së menaxhuar nga teknologjia?

Fushëbetejat moderne po dominohen gjithnjë e më shumë nga dronët, sistemet robotike dhe inteligjenca artificiale. “Jemi në një garë armatimi teknologjik mes dronëve sulmues dhe mbrojtjes kundër tyre”, paralajmëroi ministri gjerman Alexander Dobrindt.

Shkeljet e hapësirës ajrore nga Rusia në Poloni, Rumani e Estoni kanë rritur shqetësimet në BE dhe NATO. Polonia, me ndihmën e aleatëve, rrëzoi disa dronë rusë, hera e parë që ndodh mbi territor të NATO-s që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.

Në këtë sfond, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi ndërtimin e një muri dronësh përgjatë krahut lindor të NATO-s.

Ajo tha se ky projekt “nuk është ambicie abstrakte, por themel i një mbrojtjeje të besueshme”.

Në takim të planifikuar në Bruksel, përfaqësues nga nëntë vende të BE-së , përfshirë Poloninë, Rumaninë, Estoninë dhe Finlandën,  si dhe Ukraina, pritet të diskutojnë teknologjitë më të fundit për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se Europa po ecën më ngadalë se rivalët. Vetëm tre nga 50 kompanitë më të mëdha teknologjike në botë janë evropiane, ndërsa Ukraina shihet si shembull i inovacionit ushtarak falë përdorimit efektiv të dronëve dhe penguesve elektronikë.

Ndërkohë, vendet evropiane po përpiqen të rimarrin terren në këtë fushë.

Në Republikën Çekë, inxhinierët po zhvillojnë “Eagle One”, një dron autonom që kap dronë të paautorizuar me ndihmën e IA-së, (Inteligjenca Artificiale) pa i shkatërruar.

Në Gjermani, kompania “Helsing” ka krijuar dronin “HX-2”, të pajisur me inteligjencë artificiale për sulme precize dhe që i reziston ndërhyrjeve elektronike, si dhe një dron nëndetës “SG-1 Fathom” për mbrojtjen e infrastrukturës detare.

Në Francë, “Renault” është kontaktuar nga Ministria e Mbrojtjes për të prodhuar dronë në Ukrainë, ndërsa  Sllovenia” dhe Rumania po nxisin industritë e tyre të mbrojtjes përmes fondeve të reja të BE-së, si iniciativa “ SAFE”, që ofron deri në 150 miliardë euro në kredi.

Për BE-në, gara për epërsinë teknologjike në fushën e mbrojtjes ka nisur tashmë  dhe dronët e IA  mund të jenë çelësi për sigurinë e së ardhmes.