
Dy gra humbin jetën në tentativën për të kaluar Kanalin Anglez me gomone
Dy gra humbën jetën të shtunën në mëngjes gjatë një përpjekjeje për të kaluar Kanalin Anglez me një mjet të improvizuar lundrimi, bëjnë të ditur autoritetet franceze për agjencinë e lajmeve AFP.
Ngjarja ndodhi gjatë natës pranë brigjeve të Francës veriore, kur rreth 100 persona tentuan të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me një gomone.
Sipas zyrtares franceze Isabelle Fradin-Thirode, e cituar nga AFP, 60 persona u shpëtuan dhe aktualisht po marrin ndihmën e nevojshme nga shërbimet e mbrojtjes civile. Ndër të shpëtuarit ishin edhe një çift me fëmijën e tyre, të cilët u dërguan me urgjencë në spitalin e Boulogne, pasi vuanin nga hipotermi e moderuar.
Sipas gazetës franceze La Voix du Nord, viktimat ishin dy gra nga Somalia. Ngjarja ndodhi në jug të plazheve të Neufchâtel-Hardelot, në rajonin Pas-de-Calais, një zonë shpesh e përdorur nga emigrantët për të nisur kalimin drejt Britanisë.
Të paktën 25 persona kanë humbur jetën deri tani gjatë këtij viti duke u përpjekur të kalojnë Kanalin me mjete të vogla dhe të pasigurta. Vetëm një ditë më parë, gazetarët e AFP-së panë “qindra” migrantë në zonën e Gravelines që po përgatiteshin të niseshin, sapo kushtet e motit të përmirësoheshin.
Më herët këtë muaj, tre persona humbën jetën dyshohet se u shtypën nga turma në fundin e një mjeti të tejmbushur, gjatë një tentative tjetër për kalim në brigjet pranë Calais.
Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të rojës bregdetare franceze, 50 persona humbën jetën në përpjekje për të kaluar Kanalin Anglez.
Më shumë se 30 mijë persona kanë arritur në Britani me mjete të vogla vetëm gjatë vitit 2025, ndërsa që prej ardhjes në pushtet të Partisë Laburiste në korrik 2024, janë regjistruar mbi 50 mijë kalime të tilla.
Qeveria britanike përballet me kritika të forta për mënyrën se si po trajton fluksin e emigrantëve dhe kërkesat për azil.
Së fundmi, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë arritur një marrëveshje të re të kthimeve, të njohur si “një për një”, që synon të frenojë kalimet e paligjshme. Sipas kësaj marrëveshjeje, për çdo emigrant që Britania e kthen në Francë, do të pranohet një tjetër që nuk ka tentuar kalimin, por që ka një rast të fortë për azil në MB.
Kryeministri britanik Keir Starmer i ka quajtur kalimet e tilla “krejtësisht të papranueshme”, ndërsa ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, është shprehur se trafikantët që qëndrojnë pas këtyre udhëtimeve “po shkatërrojnë kufijtë tanë”./tvklan.al