Miliarda dollarë të ardhur, eksportet e makinave të përdorura nga Koreja e Jugut shënojnë rekord

Miliarda dollarë të ardhur, eksportet e makinave të përdorura nga Koreja e Jugut shënojnë rekord

Bota September 30, 2025 - 12:29

Nga një ish-park argëtimi të kthyer në terminal të përkohshëm eksporti, mijëra makina të përdorura po ngarkohen çdo ditë në kontejnerë për t’u nisur drejt tregjeve ndërkombëtare.

Ky aktivitet i fuqishëm në bregdetin perëndimor të Koresë së Jugut po ndihmon vendin të zbusë ndikimin e tarifave të larta të Shteteve të Bashkuara mbi makinat e reja.

Në qendrën më të madhe të eksportit të makinave të përdorura në Incheon, punëtorët punojnë pa ndalur, shpesh nën temperaturat e larta verore, duke vendosur dhe siguruar automjetet në kontejnerë.

Image

“Eksportet drejt Shteteve të Bashkuara nuk zënë shumë në aktivitetin tonë. Ne kemi tregje më të mëdha në vende të tjera, prandaj tarifat amerikane na kanë prekur pak vetëm ata që punojnë drejtpërdrejt me SHBA”, thotë për Reuters Kevin Seol, një tregtar që eksporton rreth 100 makina të përdorura çdo muaj.

Tarifat amerikane dhe tregjet e reja

Që prej vendosjes së tarifës 25% nga presidenti Donald Trump, dërgesat e makinave të reja drejt SHBA-ve kanë rënë për gjashtë muaj rresht. Megjithatë, eksportet totale të automjeteve kanë shënuar rritje, falë bumit të shitjeve të makinave të përdorura, të cilat përbëjnë tashmë një të katërtën e volumit të përgjithshëm, përcjell A2 CNN.

Sipas Ministrisë së Tregtisë, vetëm në gusht Koreja e Jugut eksportoi makina me vlerë 5,5 miliardë dollarë, një rekord mujor. Nga këto, 711,5 milionë dollarë i përkasin makinave të përdorura, duke shënuar një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.

Kërkesa është rritur sidomos nga Rusia dhe vendet e Azisë Qendrore si Kirgistani, i cili shërben si nyje ri-eksporti për tregun rus. Ndërkohë, pas ndalimit të Japonisë për eksportin e automjeteve të mëdha drejt Rusisë, Koreja e Jugut u bë furnizues kryesor, pavarësisht se vendosi disa kufizime në vitin 2024 për automjetet mbi 2000cc.

Siria dhe Lindja e Mesme, tregje në rritje

Sipas të dhënave, në gjysmën e parë të vitit eksportet e makinave të përdorura nga Koreja arritën 3,9 miliardë dollarë, me mbi 437 mijë njësi të dërguara, rreth 25% e totalit të eksporteve të automjeteve. Vetëm Lindja e Mesme importoi gati 171 mijë makina të përdorura, duke tejkaluar numrin e makinave të reja të shitura në rajon.

Rasti më i veçantë është Siria, ku importet e makinave të përdorura u rritën nga vetëm 75 njësi vitin e kaluar në 11 809 këtë vit, pas përfundimit të luftës.

Problemet infrastrukturore dhe e ardhmja

Megjithatë, rritja e vrullshme nuk po shoqërohet me infrastrukturën e duhur.

“Nuk kemi ende një kompleks të mirëfilltë eksporti. Ne thjesht marrim me qira këto terrene me baltë dhe i përdorim si magazina të hapura. Në verë, blerësit mezi ecin nëpër baltë për të parë makinat”, ankohet Park Young-hwa, drejtues i Shoqatës së Eksportuesve të Makinave të Përdorura.

Ekspertët parashikojnë që eksportet e makinave të përdorura nga Koreja e Jugut do të arrijnë nivele rekord këtë vit, edhe pse Siria, një nga tregjet që po rritej më shpejt, ndaloi importet në korrik.

Nga ana tjetër, disa analistë e shohin edhe rritjen e tarifave amerikane si një mundësi.

“Nëse çmimet e makinave të reja rriten globalisht, atëherë edhe tregu i makinave të përdorura përfiton, pasi çmimet ndjekin të njëjtin trend”, thotë Shin Hyun-do, drejtor i Institutit të Kërkimeve për Shpërndarjen e Makinave të Përdorura në Kore.

Image