Hamasi e mirëpret planin e Trumpit për Gazën, grupi palestinez do të përgjigjet zyrtarisht të mërkurën

Hamasi e mirëpret planin e Trumpit për Gazën, grupi palestinez do të përgjigjet zyrtarisht të mërkurën

Bota September 30, 2025 - 15:23

Hamasi dhe grupe të tjera palestineze po e mirëpresin planin e presidentit, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe pritet t’ua paraqesin përgjigjen e tyre ndërmjetësve egjiptianë dhe atyre të Katarit të mërkurën, thanë burime për CBS News.

Plani, të cilin Trumpi e paraqiti në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, është një propozim me 20 pika.

Ai kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe një numri të të burgosurve palestinezë në Izrael, rritjen e ndihmës humanitare dhe më pas transferimin e kontrollit të Gazës te një administratë kalimtare teknokratësh palestinezë.

Kjo administratë do të mbikëqyret nga një “Këshill Paqeje” ndërkombëtar i kryesuar nga Presidenti Trump, i cili do të përfshijë edhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.

Sipas burimeve diplomatike, zyrtarët egjiptianë dhe kataranë i kanë dorëzuar Hamasit një kopje të propozimit. Plani përcakton që Izraeli do të mbajë kontrollin e sigurisë mbi kufirin e Gazës.

Autoriteti Palestinez, në një deklaratë të transmetuar nga agjencia e lajmeve WAFA, shprehu mbështetje për planin, duke nënvizuar “rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara për të arritur paqen”.

Gjithashtu, ajo përsëriti angazhimin e saj për reforma politike, të tilla si mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare brenda një viti nga përfundimi i luftës, dhe theksoi se dëshiron “një shtet palestinez modern, demokratik dhe të demilitarizuar”.

Edhe pse plani nuk parashikon një rol të drejtpërdrejtë për Autoritetin Palestinez në Gazën e pasluftës, ajo thotë se mund të marrë kontrollin pasi të ketë zbatuar reforma specifike. /EO