
Melania Trump: Po punoj me Putinin për kthimin e fëmijëve në Ukrainë
Zonja e parë e SHBA-ve, Melania Trump ka njoftuar këtë të premte, 10 tetor, se Rusia ka pranuar që ukrainasit që ishin të mitur kur u zhvendosën nga lufta dhe tani janë të rritur që jetojnë në Rusi, do të kthehen “brenda një periudhe të shkurtër kohore.”
Melania Trump në një fjalim të mbajtur sot në Shtëpinë e Bardhë theksoi nevojat e fëmijëve që janë përfshirë në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.
Në fakt, zonja e parë e SHBA-ve e kishte kontaktuar më parë Putinin për këtë çështje përmes një letre në gushtin e kaluar, ndërsa sot tha se presidenti rus “iu përgjigj me shkrim,” duke shfaqur “dëshirën për të bashkëpunuar drejtpërdrejt me të.”
Sipas Melanias, letra e Putinit përmbante detaje mbi fëmijët ukrainas që jetojnë në Rusi, pas së cilës të dy palët krijuan një “kanal të hapur komunikimi” lidhur me mirëqenien e këtyre fëmijëve.
“Gjatë disa muajve të fundit, të dy palët kanë marrë pjesë në disa takime të fshehta dhe kanë zhvilluar telefonata, të gjitha me vullnet të mirë,” tha Melania në fjalimin e saj publik. “Kemi rënë dakord të bashkëpunojmë për të mirën e të gjithë personave të përfshirë në këtë luftë”.
“Përfaqësuesi im ka punuar direkt me ekipin e presidentit Putin për të siguruar ribashkimin e sigurt të fëmijëve me familjet e tyre mes Rusisë dhe Ukrainës.”
Si rezultat, tha Melania, tetë fëmijë janë ribashkuar me familjet e tyre gjatë 24 orëve të fundit.
“Rusia ka treguar dëshirë për të zbuluar informacion objektiv dhe të detajuar që pasqyron situatën aktuale,” shtoi ajo, duke theksuar se federata ruse ka dhënë detaje për të gjithë fëmijët që kanë qenë pjesë e procesit të ribashkimit këtë javë.
“Shpresoj që paqja të vijë së shpejti. Ajo mund të fillojë me fëmijët tanë.”, është shprehur bashkëshortja e presidentit Trump.