
Trump: Ky është agimi historik i një Lindjeje të Mesme të re
Presidenti amerikan, Donald Trump është pritur me duartrokitje dhe festë në parlamentin e Izraelit në Jerusalem, teksa e ka nisur fjalimin.
“Vend i mirë, njëmend vend i mirë”, ka thënë ai.
“Jemi mbledhur në një ditë gëzimi të thellë dhe shprese të madhe”.
“Pas dy vjetëve të tmerrshëm në errësirë dhe robëri, 20 pengje guximtare po kthehen te familjet e tyre. Edhe 28 tjerë po vijnë në shtëpitë e tyre për të gjetur paqen në këtë vend të shenjtë”.
“Armët kanë rënë në heshtje dhe rajoni është në paqe”, ka thënë mes të tjerash Trumpi.
Përgjatë fjalimit, i cili është ndërprerë për pak, Trumpi ka thënë se të gjithë janë dëshmitarë të një agimi historik të një Lindjeje të Mesme të re.
Ai e ka falënderuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanayhu për bashkëpunimin, si dhe vendet arabe që i kanë lehtësuar negociatat.
Tani do të jetë “koha e artë për Izraelin, koha e artë për gjithë rajonin”, ka deklaruar Trumpi. /rel