
Katër palestinezë të vrarë në Gazë, Hamasi e quan shkelje të armëpushimit
Katër persona janë vrarë në lindje të qytetit të Gazës, në lagjen Shejaiya, pas një sulmi nga dronët izraelitë, ka raportuar agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa.
Duke cituar burime mjekësore, Wafa shkruan se viktimat u qëlluan “ndërsa po inspektonin shtëpitë e tyre” në zonën e shkatërruar.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tha në një deklaratë në Telegram se “një numër i të dyshuarve u identifikuan duke kaluar të ashtuquajturën Vijë e Verdhë dhe duke iu afruar forcave izraelite që operojnë në veri të Gazës, çka përbën shkelje të marrëveshjes”.
Sipas IDF-së, “forcat u përpoqën t’i zmbrapsin të dyshuarit, por ata nuk reaguan dhe vazhduan të afrohen, ndaj trupat qëlluan për të eliminuar kërcënimin”.
Një zëdhënës i Hamasit e dënoi incidentin, duke e quajtur atë “një shkelje të qartë të marrëveshjes së armëpushimit”.
Vija e Verdhë shënon zonën ku trupat izraelite janë tërhequr sipas planit të armëpushimit të ndërmjetësuar nga administrata Trump. /BBC
