Trumpi autorizon CIA-n për operacione në Venezuelë

Trumpi autorizon CIA-n për operacione në Venezuelë

Bota October 16, 2025 - 10:03

Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi se ai ka autorizuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për të kryer operacione të fshehta në Venezuelë.

Ky njoftim i bërë më 15 tetor shënon një përshkallëzim në përpjekjet e Uashingtonit për t’i bërë presion Qeverisë së presidentit venezuelas, Nicolas Maduro.

The New York Times fillimisht raportoi për direktivën e klasifikuar, duke cituar zyrtarë amerikanë që kishin informacione për këtë vendim, duke thënë se strategjia e administratës së Trumpit për Venezuelën synon rrëzimin e Maduros nga pushteti. Administrata ka ofruar 50 milionë dollarë shpërblim për informacion që çon në arrestimin dhe dënimin e tij për akuza të trafikut të drogës.

Sipas The New York Times, autoriteti i ri t’i lejojë CIA-s të kryejë operacione vdekjeprurëse në Venezuelë dhe të zhvillojë një sërë operacionesh në Karaibe.

I pyetur pse e autorizoi CIA-n të operojë në Venezuelë, Trumpi u tha gazetarëve se arsyet për këtë vendim kishin të bënin me migrimin e venezuelasve drejt SHBA-së dhe trafiku i drogës.

“E autorizova për dy arsye”, tha Trumpi. “Së pari, ata i kanë zbrazur burgjet e tyre në SHBA… ata erdhën përmes kufirit. Ata erdhën sepse ne kishim një kufi të hapur”, tha ai për gazetarët në Zyrën Ovale. “Dhe, arsyeja tjetër janë drogat”, shtoi udhëheqësi amerikan. /abcnews