
Papa Leoni XIV: Përdorimi i urisë si armë strategji mizore që mohon të drejtën e jetës
Papa Leoni XIV ka denoncuar përdorimin e urisë si armë lufte, duke e quajtur atë një “strategji mizore” që i privon njerëzit nga e drejta e tyre themelore për jetë dhe duke u bërë thirrje udhëheqësve botërorë të veprojnë me vendosmëri për t’i dhënë fund urisë.
Duke folur në selinë e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së (FAO) në Romë të enjten, në Ditën Botërore të Ushqimit dhe 80-vjetorin e agjencisë, Papa dënoi trendin në rritje të përdorimit të urisë si mjet në konfliktet moderne.
“Ushqimi nuk duhet të jetë kurrë armë”, tha Papa duke paralajmëruar se veprime të tilla “u mohojnë burrave, grave dhe fëmijëve të drejtën e tyre më themelore, të drejtën për jetë”, raportoi “Vatican News”, media zyrtare e Selisë së Shenjtë.
Duke rikujtuar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së më parë e ka klasifikuar urinë si krim lufte, ai paralajmëroi se “ky konsensus duket se është zbehur”.
“Heshtja e atyre që vdesin nga uria bërtet në ndërgjegjen e njerëzimit. Uria nuk është fati i njerëzimit, por rënia e tij. Nuk është vetëm një problem që duhet zgjidhur, është një britmë që ngrihet në qiell”, shtoi Papa.
Komentet e Papës vijnë në një kohë kur miliona njerëz në zonat e konfliktit, përfshirë Gazën, Ukrainën, Jemenin dhe rajonin e Sahelit, përballen me mungesa akute ushqimore, shpesh të qëllimshme. Ai u bëri thirrje qeverive dhe organizatave ndërkombëtare të mbështesin përgjegjësinë morale, të mbrojnë civilët dhe të garantojnë sigurinë ushqimore për të gjithë.
Fjalimi i kreut të Vatikanit ishte pjesë e një apeli më të gjerë për bashkëpunim global dhe lidership etik, duke theksuar se “njeriu duhet të vendoset gjithmonë mbi fitimin”. /abcnews